Ekskluzive/ 'Mos vënë gjobë 10 mln lekë, se fillojnë presionet tullacat', zbardhen biseda telefonike mes zyrtarëve të AMA

Suela Musta anëtare e Autoritetit të Mediave Audiovizive, dhe dy ish-anëtarë të këtij institucioni Izmir Hajdari dhe Andrea Nathanaili, janë përfshirë në veprime korruptive, ku kundrejt pagesave monetare kanë favorizuar paligjshmërinë e dy televizioneve kabllore në Elbasan dhe Tropojë. Në një rast personat e mësipërm kanë marë 4 milion lekë të vjetra për të favorizuar Tv Kabllor “Brado” në Elbasan, ndërkohë që janë vënë nën presin të vazhdueshëm nga pronarët e këtij TV, me qëllim që të ndikon për mos vendosjen e një gjobe. Në vendimin e gjykatës që “Shqiptarja.com” disponon thuhet se në datën 29 mars 2019 Bledar Karaj, telefonohet nga një person, i cili prezantohet si inspektor i AMA-s dhe i thotë se është te subjekti i tij dhe ka një urdhër inspektimi. Pasi e lënë të takohen, Bledi mbyll telefonin dhe nga telefoni i tij komunikon me Andrea Nathanaili, në orën 14:11. Në komunikimin e tij Bledi i thotë Andrea Nathanailit se te subjekti i kanë shkuar inspektorë të AMA-s dhe se do ta kontrollojnë. Kur Andrea e pyet se si i ka kanalet, Bledi përgjigjet “…ja ashtu…”. Po kështu, Andrea e pyet se “…kush ishte ai që të mori…” dhe Bledi i thotë se “…nuk e njoh për emër…”.

Pas kësaj Andrea e orienton Bledin që të dërgojë dikë te subjekti se do të fliste ai me dikë. Nga ana tjetër Andrea Nathanaili komunikon me Suela Musta. Në bisedë Andrea i shpjegon Suelës se një grup tjetër inspektimi ka shkur në Elbasan, te subjekti i Bradasheshit dhe i kërkon që të interesohet në lidhje me këtë grup inspektimi. Nga ana e Andreas i thuhet Suelës se “…ti i ke bërë ato muhabete, që kam kërkuar që t’i thuash që të mos shkosh tek ai fshati Labinot, Bradashesh, kaq thuaju. Ata kanë kërkuar ka një vit, që është miku im thuaj... po thuaj dreqit na gjeti zbulur fare... hajd se do vazhdojë kjo gjë…”. Më pas Andrea bisedon me Bledin ku i kërkon që të sillet mirë me inspektorët. Më pas Andrea komunikon me Suelën, ku kjo i thotë se “…për momentin nuk ndërhyj dot…” dhe Andrea i thotë se mund ta ndëshkojë dhe “…vendosin gjobën 10 milionë dhe na nxjerrin bojën pastaj…”.

S’duhet vënë gjoba se  fillojnë presione “Tullacët”
Në orën 14:22 Andrea i dërgon një sms Suelës ku i thotë se “…Brado nuk duhet të marrë gjobë se fillojnë presione të tjera pastaj…”, “tullacët” “…pra duhet kap që në fillim ... mos ta kap e hëna…” dhe Suela i përgjigjet “Ok. Flm….”. Në telefonatën e orës 10:10 Andrea, telefonon Suelën, ku i kërkon që të shkojë në zyrë dhe t’i lutet një punonjësi të AMA-s në lidhje me mosvendosjen e gjobës për TV kabllor “Brado” dhe Suela shprehet se “…e kam të vështirë por do të shkoj…”. Në datën 3 prill 2019, Andrea Nathanaili bisedon me Bledar Karajn ku i shpjegon situatën se “…është shumë e vështirë dhe këtë radhë do të marrë gjobën…”. Por Andrea i thotë që të mos mërzitet se do ta rregullojë në mbledhje me njerëzit e tij. Po në datën 3 prill 2019, Andrea bisedon me Suelën dhe kjo e fundit i ka thënë se “…kam shkuar te drejtori dhe nuk pranon…”. Ai,-thotë Suela,-i ka thënë se përse merresh me këtë punë. Andrea i thotë se “…thuaji edhe njëherë se dhe me atë tjetrin e rregullojmë dhe i themi se kjo është hera e fundit dhe gjej ndonjë tjetër për ta rregulluar…”. Andrea Nathanaili bisedon me Bledar Karaj dhe rezulton se ata janë në qytetin e Tiranës. Po në këtë datë Bledi komunikon me vjehrin e tij Adem, ku gjatë bisedës i thotë se “…këtyre u dhashë një milion lekë dhe Andreas i dhashë 300 mijë lekë…”.

Nathanaili rrogë mujore 300 mijë lekë
Nga përgjimet telefonike rezulton Bledar Karaj, banor i qytetit të Elbasanit, është dhëndërri i Adem Boriçi, në emrin e të cilit është i regjistruar TV me kabëll “BRADO”. Nga të dhënat e nxjerra nga saiti i AMA-s rezulton se TV me kabëll “BRADO” është licensuar në 7 maj 2011. Nga të dhënat në internet të AMA-s, rezulton se ky televizion kabllor është i licensuar deri në vitin 2022. Nga përgjimet telefonike rezulton se në vendin e quajtur Labinot Mal, transmeton në mënyrë të paligjshme një televizion kabllor, i cili nuk ka licensë. Nga përgjimet rezultonn se Artan Drazhi është pronari i këtij televizioni kabllor dhe aparaturat e transmetimit ia ka blerë Bledar Karaj. Në datën 27 shtator 2018, punonjësit e AMA-s, zyra e kontroll-inspektimit, ka shkuar në pikën e transmetimit ku transmetonte televizioni kabllor në pronësi të Artan Drazhi dhe ka kryer kontroll. Në përgjimet telefonike të kryera ndaj numrave telefonikë, të cilët përdoren nga Bledar Karaj, Artan Drazhi dhe Shkëlqim Sula, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tentojnë të paguajnë një sasi parash në shumën prej 200.000 lekësh Izmir Hajdari, me detyrë inspektor i AMA-s. Nga këto përgjime rezulton se nga ana e inspektorëve të AMA-s në këtë pikë transmetimi të paligjshme janë sekuestruar disa aparatura me të cilat zhvillohej ky transmetim. Nga përgjimet telefonike rezulton se Artan Drazhi nëpërmjet kësaj pike transmetimi televizive shpërndan në mënyrë të kundërligjshme sinjalin e 27 kanaleve televizive, pa kontratë me këto subjekte televizive. Nga përgjimet rezulton se Artan Drazhi dhe Bledar Karaj, pasi është ushtruar kontroll në pikën e transmetimit të fshatit Labinot Maj, janë takuar me punonjësin e AMA-s Izmir Hajdari dhe më pas kanë vazhduar transmetimin e këtyre kanaleve televizive.

Nga raportet e vëzhgimit ambiental në vende publike, rezulton se takimi mes tyre është realizuar në qytetin e Tiranës, pas kontrollit të datës 27 shtator 2018. Nga përgjimet telefonike rezulton se Andrea Nathanaili ka njohje me disa subjekte që operojnë në transmetimin e kanaleve televizive në Republikën e Shqipërisë. Në muajin shtator-tetor 2018, Andrea Nathanaili është kontaktuar nga Bledar Karaj me qëllim që të ndërhynte te punonjësit e AMA-s në lidhje me kontrollin e bërë prej tyre në 27 shtator 2018, në pikën e transmetimit të televizionit kabllor të palicensuar në pronësi të Artan Drazhi. Nga këto komunikime rezulton se Andrea Nathanaili, komunikon me Suela Musta, anëtare e bordit të AMA-s, ku i kërkon që të interesohet për këtë problem dhe të ndikojë te punonjësit me qëllim që ata të mos shkojnë për kontroll në këtë subjekt. Nga përgjimet rezulton se, nga ana e Bledar Karaj, Andrea Nathanaili paguhet me një shumë prej 30.000 lekësh në muaj, me qëllim që ai, me njohjet që ka në bordin e AMA-s, të ndërhyjnë në mënyrë të kundërligjshme me qëllim pengimin e punonjësve të AMA-s për të ushtruar kontroll në subjektin e shtetasit Bledar Karaj në qytetin e Elbasanit.

Përgjimi: Suela ruaj integritetin mos u merr me punë të pista
Në 11 nëntor 2018 Suela Musta, anëtare e bordit të AMA-s bisedon me Ervin Tahiraj, administrator i TV kabllor “Tata Junior”, në qytetin e Tropojës. Nga përgjimi telefonik Suela i kërkon një personi, që në mbledhjen e bordit të AMA të përkrahet subjekti “Hysgjokaj” dhe duke i thënë “…më pas do të hamë një drekë të mirë...”. Ndërsa nga personi tjetër, i kërkohet Suelës që të ruajë integritetin dhe mos të merret me këto punë të pista. Në një telefonatë tjetër të zhvilluar në 20 nëntor 2018 Ervin Tahiraj bisedon me Andrea Nathanaili ku rezulton se me kompaninë “Tring” nuk ka pasur kontratë, pasi ata nuk kanë qenë të interesuar dhe Andrea i shpjegon se ky është problem. Rezulton se TV “Tata Junior” ka transmetuar kanale të kompanisë “Tring” pa kontratë. Nga përgjimi i bisedave rezulton se Andrea Nathanaili është takuar me Ervin Tahirajn në datën 20 nëntor. Në këtë kohë Andrea Nathanailit bisedon me Suela Mustës, rezulton se Andrea i kërkon informacion Suelës, se çfarë kishte bërë me porosinë e dhënë prej tij të premten, në lidhje me një subjekt të kontrolluar nga inspektorët e AMA-s në qytetin e Tropojës. Ai ia kërkon me ngulm përgjigjen në lidhje me këtë porosi dhe Suela i shprehet se ka biseduar me Samiun dhe ai i kishte thënë se do ta verifikonte, çfarë kishte bërë grupi i kontrollit ku dhe i thotë se nëse nuk ka gjobë, do ta rrëzojmë gjobën në këshill. Andrea ngulmon se kjo çështje duhet të zgjidhet me patjetër. Më pas bisedohet mes Suelës dhe Andreas mënyra sesi mund të hiqet gjoba e vënë këtij subjekti. Ndërkohë Suela Musta në 12 nëntor 2018 rezulton se ajo ka biseduar me një person të panjohur, ku i thotë se e ka marrë një shtetase me emrin “Moza”, e cila i ka kërkuar të ndërhyjë në lidhje me një subjekt, i cili transmeton në zonën e saj pasi i kanë shkuar për kontroll inspektorët e AMA-s dhe e kanë konstatuar me shkelje. Subjekti i cili është gjobitur rezulton të jetë në qytetin e Tropojës. Nga transkriptimi i bisedave të përgjuara rezulton se subjekti në fjalë, i cili ka televizion kabllor në qytetin e Tropojës është TV “Tata junior”. Nga përgjimet telefonike Suela Musta flet me një person dhe ky i fundit, i kthen përgjigje se si fillim do të marrë një gjobë.

Nga përgjimi I Ervin Tahirit rezulton që bisedat që ai bën me një person tjetër, ky i fundi e informon se inspektorët e AMA-s i kanë vënë gjatë kontrollit një gjobë në shumën 130.000 lekë, pasi në AMA nuk ka asnjë kontratë të depozituar me Agjencinë e Mbrojtjes të së Drejtës së Autorit. Nga përgjimi telefonik I Andrea Nathanaili rezulton se ai komunikon me Ervin Tahiri. Në këtë bisedë rezulton se Andrea Nathanaili, i thotë Ervinit që ka biseduar në lidhje me problemin që ai ka (pra për gjobën) dhe çdo gjë do të rregullohet në bord. Më pas ata lënë takim me njëri-tjetrin.

Heqja e gjobës për TV kabllor “Tata Junior”
Në muajin nëntor të vitit 2018 Andrea Nathanaili është kontaktuar nëpërmjet telefonit dhe më pas drejtpërdrejt me Ervin Tahiri, i cili është pronar i kanalit televiziv me kabëll “Tata Junior” në qytetin e Tropojës. Nga këto përgjime rezulton se Ervin Tahiri vë në dijeni Andrea Nathanaili në lidhje me një gjobë që inspektorët e AMA-s i kanë vënë pasi kanë konstatuar shkelje në transmetimin e programeve televizive. Nga ana e Ervin Tahiri i kërkohet ndihmë Andrea Nathanaili, me qëllim që të ndërhynte tek anëtarët e bordit të AMA-s me qëllim heqjen e gjobës së vënë nga inspektorët e AMA-s. Nga ana e Andrea Nathanaili rezulton të ketë komunikime telefonike me Suela Musta, e cila është një prej anëtarëve të bordit të AMA-s. Andrea Nathanaili bisedon me Suela Musta me qëllim që ajo të ndërhyjë tek anëtarët e tjerë të bordit të AMA-s, me qëllim heqjen e gjobës. Nga këqyrja e saitit të AMA-s, rezulton se në 14 nëntor 2018, subjektit TV “Tata Junior” i është vënë me vendimin nr. 29, një gjobë në shumë prej 130.000 lekësh. Ndërkohë me vendimin nr.18, në 6 shkurt 2019, kjo gjobë është hequr nga bordi i AMA-s, duke pranuar ankimin e bërë nga subjekti “Tata Junior”, me pronar shtetasin Ervin Tahiri.

B.K./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miri: 22/06/2019 12:11

    Problem: Shkojne inspektoret atje edhe rrezikojne te hane ndonje te rrahur, edhe kur bejne detyren, ua fusin pas shpine shefat e tyre. Respekt per inspektoret se te tille duhet te kete me shume. Per zonjen dhe te tjeret e di gjykata.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu