Ekskluzive-Dosja e Elbasanit/ Si u vra kunati i Fadil Memës duke pirë një gotë dhallë në lokal (VIDEO)

Ardian Ibrahimi, kunati i ish-efektivit të policisë rrugore Fadil Mema, ishte vënë në objektiv për t'u eleminuar, kjo pasi Ibrahimi ishte personi i vetëm që kishte parë dhe qëlluar me gurë Florenc Çapjan, në momentin kur ky ka qëlluar 11 plumba drejt Fadilit. Florenc Çapja pas kësaj ngjarje është arrestuar por më pas Çapjat kanë filluar presionet dhe vizitat në shtëpinë e Fadilit, i cili pranoi të ndryshojë dëshminë dhe të gënjejë gjykatën, duke nxjerë nga kafazi atentatorin e tij, Florenc Çapja. Por pas daljes nga burgu,problemet erdhën dhe u ndërlikuan më tepër, pasi tashmë presioni i Çapjave ishte rritur ndjeshëm mbi dëshmitarin kryesor, Ardian Ibrahimin. Ky i fundit mbahej në survejim të plotë dhe lëvizjet e tij në Elbasan monitoroheshin.

Në 28 Maj 2006, katër muaj pasi ishte tentuar të vritej Fadil Mema, ekzekutohet me 5 plumba kunati i tij Ardian Ibrahimi. Siç tregon përpara prokurorit Xhevat Hana, Xhena Doku, bashkëshortja e të ndjerit Ardian Ibrahimi, burri i saj është vrarë brenda në lokal, duke pirë dhallë me një shokun e vet. Xhena pohon momentin e tmerit që ka përjetuar, përgjakjen e duarve me gjakun e bashkëshortit dhe britmat e saj që kanë sjellë hapjen e syve të Ardian Ibrahimit. Kanë qënë dy persona që janë afruar me motor dhe kanë hyrë në lokal, ku ishin me maska dhe të veshur me të zeza. Për këtë ngjarje të rëndë policia dhe prokuroria e Elbasanit arrestoi një vrasës me pagesë Sajmir Bako, i cili u identifikua nga analiza e ADN-së, dhe se nga gjykata e Elbasanit, Bako është dënuar me 20 vite burgim. Sot “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e Xhena Doku, bashkëshortes së Ardian Ibrahimit, rëfim i cili është dhënë para prokurorit të ndjerë Xhevat Hana.

Momenti tragjik i vrasjes së Ardianit
Në dëshminë e saj ajo vijon:Në vitin 1997 jam martuar me Ardian Ibrahimin dhe banonim në shtëpi private, ku bashkë me në banon edhe kunati im Fadil Mema, Burri im, Ardiani, punonte në lokalin tonë privat. Në datën 28 maj 2006 rreth orës 21:00 kur unë isha në oborrin e shtëpisë dëgjova rreth 5-6 krisma me armë zjarri dhe ishin shumë të mbytura, jo shumë të fuqishme. Dola menjëherë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe nuk pashë ndonjë lëvizje të rrëmujshme të njerëzve, por megjithatë unë isha e shqetësuar se kishim 5 muaj që ne ishim të frikësuar, sepse kishim pasur disa herë presione, ngacmime dhe u nisa drejt lokalit, të cilin e kam rreth 100 metra larg nga shtëpia dhe që aty ku isha nuk duket komplet lokali dhe u afrova drejt tij. Rrugës drejt, pashë se nuk kishte shumë lëvizje dhe pashë nipin e burrit tim, Hysni Mujollarin, rreth 13 vjeç, i cili hyri dy herë dhe doli nga lokali. Unë ia bëra me shenjë “...hajde këtu...”, për ta parë se çfarë kishte ndodhur.

Nuk arrita ta pyesja se çfarë kishte ndodhur, se ai më tha: “...Plagosën dajon...”. Kapërceva lokalin me vrap dhe u futa në lokal dhe shikova burrin tim të shtrirë në dysheme te dera për të hyrë te banaku, ku tre persona po mundoheshin që ta ngrinin, ku njëri nga ata ishte kunati i vet, Turbi Mujollari, tjetri ishte shoku i burrit, i quajturi Klodi, mbiemrin nuk ia di dhe një person tjetër, të cilin nuk e fiksova tamam.U futa edhe unë duke e kapur nga mesi për ta ngritur dhe në momentin që po e nxirrnim unë u bëra gjithë gjak se qëllova te vendi ku ishte dëmtuar më shumë.Nipi kishte gjetur një makinë dhe e dërguam drejt e në spital,ku aty vdiq.Dua të them se në momentin që unë e pashë të shtrirë dhe u afrova duke bërtitur,Ardiani i hapi sytë por nuk foli.Edhe në spital ishte me sy të hapur, por nuk fliste.Ata e futën në sallën e operacionit dhe pas gjysmë ore ose treçerek ore, nuk e përcaktoj dot, doli njëri nga mjekët dhe më tha se “...nuk kemi se çfarë t’i bëjmë...”.Ata i kishin futur një tub për t’i dhënë oksigjen, si edhe i kishin vënë serum dhe nuk ishin bërë ndonjë veprim tjetër.Dua të theksoj se kur unë po vrapoja për te lokali me nipin e burrit, e pyeta atë se kush ishte dhe ai më tha se ishin dy persona, me maska dhe me rroba të zeza, ku njëri ishte më i gjatë se tjetri.Burri im kishte 5 plagë plumbi, të cilat i kishte nga përpara dhe ishin në pjesën e gjoksit shumica e tyre. Dy plumba i kishin mbetur në trup.Nipi i burrit ka qenë i pranishëm brenda në lokal, kur ka ndodhur ngjarja.

Si ka ndodhur vrasja e burrit
Nga nipi dhe nga kunati i burrit, Turabiu, mësova se ngjarja kishte ndodhur në këtë mënyrë:“...burri im sapo ishte futur në lokal dhe po pinte një gotë me dhallë, me një shokun e tij me emrin Fadil.Në momentin që këta ishin të ulur, kanë hyrë dy veta me maska dhe janë drejtuar direkt te burri im dhe e kanë qëlluar. Njërit i ishte bllokuar pistoleta dhe kishte qëndruar te dera, ku ai te dera e kishte pistoletën me silenciator.

Dua të sqaroj se pranë lokalit ku punonte burri im është një fastfood, si edhe një tezgë ku shiste cigare një grua me emrin Lutfie, e cila m’tha se i kishte parë të dy këta persona me maska, të cilët kishin kaluar përpara këmbëve të saj, ishin futur te lokali, kishte dëgjuar krismat dhe prap ata kishin ikur duke kaluar nga pallati që është me tunel dhe kanë dalë në rrugë. Dua të them se unë kam 14 vite që njihem me burrin tim, dhe kam9 vite e martuar me të. Ai ka qenë 35 vjeç. Gjatë gjithë kësaj kohe, unë nuk di që burri im të ketë pasur ndonjë grindje apo konflikt me ndonjë person. Unë dyshoj se burrin tim e ka vrarëFlorenc Çapja, i përkrahur nga xhaxhai i tij ArdiÇapja,i ndihmuar nga shokët e vet,sepse burri im ishte dëshmitari okular kryesor që ka parë ngjarjen, kur është qëlluar me armë zjarri përpara shtëpisë,kunati i burrit, i quajturi Fadil Mema,i cili shpëtoi në sajë të ndërhyrjes së burrit tim.

Si gënjeu Fadili në sallën e gjyqit e presioni nga Lenci
Për qëllimin me armë zjarri të Fadilit, i cili u plagos, u arrestua Florenc Çapja. Ky ifundit qëndroi i arrestuar rreth një muaj dhe doli, pasi Fadili në sallën e gjyqit deklaroi se e kam goditjen me armë zjarri nga fisi Çapja por nuk më duket se ka qenë Florenci dhe pas këtij deklarimi atë e nxorën nga burgu. Di se burri im Ardiani është pyetur në Prokurori ditën që u plagos Fadili dhe ka deklaruar se personi që i qëlloi Fadilit ishte Florenc Çapja.Pasi Florenc Çapja, doli nga burgu, i ka dalë disa herë përpara burrit tim duke e provokuar, duke i prerë rrugën me makinë në momentin që burri im kalonte me makinë, duke ecur paralel dhe duke e ndjekur me makinë nga pas, ku të gjitha këto m’i ka thënë burri.

Ardiani më ka thënë edhe për vendet se ku i kishin ndodhur dhe konkretisht, në rrugën nga “Grand Hotel” për në drejtim të qendrës së qytetit dhe herën tjetër, nga shkolla “Pedagogjike” për në drejtim të stadiumit.Në këtë rast, burri im ka qenë i shoqëruar nga Klevi Kosova. Gjithashtu, shokët e Florenc Çapjas, e ruanin burrin tim për lëvizjet që bënte.U arrit deri aty sa shokët e Florenc Çapjas, si Ervis Fetahu dhe disa të tjerë, në datën 20 shkurt, morën një apartament me qira në katin e pestë të pallatit që është rreth 100 e ca metra larg nga shtëpia jonë dhe që andej duken të gjitha lëvizjet në shtëpinë tonë. Burri im e kishte diktuar këtë veprim së bashku me vëllezërit e Fadilit dhe njoftuan policinë, ku aty vajti policia por nuk i gjeti.

Ndjekja nga shoferi i Mustafa Eshjas
Gjithashtu burri im kishte konstatuar se e vëzhgonte dhe ndiqte lëvizjet e tij, shoferi i një kamioni i cili rri përballë doganës, i quajtur Mustafa (Faja) Eshja, ku doganën e kemi përbri shtëpisë, ndërsa lokalet na bien përballë doganës, ku me këtë të fundit kemi një distancë rreth 50 metra. Me sa di unë, Mustafa Eshja, ka qenë i dënuar në Greqi për trafik me 3 ose 4 vite burg.Ka qenë nga fundi i muajit mars 2006, kur unë isha në Greqi dhe burri im kishte parë Florenc Çapjan dhe Ardian Çapjan që po rrinin te lavazhi, që është pranë doganës përballë shtëpisë sonë dhe shikonin nga shtëpia jonë, ku kishin qëndruar për njëfarë kohe.Këtë gjë mua ma tha burri im kur u ktheva që andej.

Nuk kishte bërë vaki herë tjetër që ata të qëndronin aty te lavazhi, pasi ata kanë lavazh vetë. Njëkohësisht dua të shtoj se gjatë kohës që unë isha në Greqi, burri im e kishte lënë makinën në parkingun që është tek autostrada që është afër shtëpisë së Nushi Sallës, ku makina kishte 2-3 muaj që qëndronte atje për ta shitur. Florenc Çapja me pretekstin se kërkonte një person tjetër, kishte pyetur se kjo makina është e Ardian Ibrahimit dhe përse e kishin lënë atje, ku për këtë kishte pyetur të zotin e parkingut, emrin e të cilit nuk e di, por ai kishte ardhur menjëherë te burri im dhe i trembur i kishte thënë që ta hiqte makinën që andej. Dua të sqaroj se kjo makinë nuk ishte e burrit tim, por e një shokut të tij të ngushtë, Artur Koduzit, i cili nuk kishte vend parkimi dhe e linte te shtëpia jonë. Arturi takoi rojen e parkingut dhe e sqaroi problemin e kësaj makine se e kujt ishte realisht.

Dy njerëzit në tarracën e pallatit
Dy javë para se të ndodhte vrasja e Ardianit, erdhi bashkëshorti në shtëpi rreth orës 20:30-21:00 dhe doli në ballkon. Në atë moment i tërhoqi vëmendjen një dritë nga tarraca e pallatit dhe pikërisht e pallatit ku u mor shtëpia me qira që sqarova më lart dhe pa me vëmendje që ishin dy persona, të cilët pasi dhanë sinjalin u shtrinë menjëherë pas murit të tarracës, ku ndenjën aty për një kohë të gjatë, rreth një orë ose një orë e gjysmë. Ne njoftuam oficerin e Policisë Sefer Shukulli dhe ky i fundit, në telefonatën e parë i tha burrit tim se e shikojmë nesër këtë punë, kurse kur i bëri telefonatën tjetër burri im, ai dërgoi një person civil dhe ky i fundit, siç na tha, nuk kishte parë ndonjë lëvizje.Të nesërmen Ardiani, shkoi të shikonte baxhën e tarracës së atij pallati dhe pa se ajo ishte e mbyllur me zinxhir dhe me dryn.

Konflikti për kompjuterat e Italianit
Me sa di unë, burri im kishte dijeni për konfliktin midis Sokol Çapjas dhe Rezart Çelës,për problemin e disa lojërave të sjella nga një shtetas italian dhe përfundimisht,Rezart Çela u vra. Para se të vritej Rezarti, Sokoli dhe vëllai i tij i madh Fejzi Çapja, i vodhën italianit lojërat dhe i shitën në Pogradec dhe në Korçë.Burri im e dinte që ata e kryen një veprim të tillë.Kam informacion se një person, të cilit do të mundohem që t’ia mësoj emrin, e ka parë ngjarjen, është trembur pasi personat kanë bërë goditjen dhe ka parë lëvizjen e këtyre dy personave që u futën nga tuneli, bënë goditjen dhe dolën prapë nga tuneli dhe ka parë që të dy këta kanë hipur në një makinë “Nissan” me ngjyrë të kuqe, e cila ishte parkuar te vajguri përballë dentistit, vend rreth 300 ose 350 metra larg nga shtëpia jonë.

Ata kanë lëvizur me shpejtësi shumë të madhe në kundërvajtje, pasi ka ardhur policia në vendngjarje, duke lëvizur nga Zaranika drejt turizmit.Dua të theksoj se mua më ka zënë shpesh syri një makinë “Nissan” i kuq, që rrinte përballë lokalit, nga krahu tjetër.Gjithashtu burri im ka të regjistruar në celularin e tij dy targa makinash, të cilat e ndiqnin. Celularin e ka marrë policia.Disa ditë para ngjarjes, Enver Çapja ka ardhur për dy ditë rresht dhe ka qëndruar përballë doganës dhe dyqanit të vajrave dhe bilardos, të cilët janë afër me lokalet tona dhe ka qëndruar për rreth një çerek ore, pa dalë fare nga makina.

Ardiani qëlloi me gurë Lencin kur tentoi të vriste Fadil Memëm
Në datën 30 janar 2006, rreth orës 9:00 është plagosur me armë zjarri kunati i burrit tim, i quajturi Fadil Mema, në momentin që ndodhej përpara shtëpisë së tij.I pranishëm, kur u plagos ky, ka qenë edhe bashkëshorti im, i cili siç më tregoi, e kishte parë autorin dhe ishte sipas tij, nipi i Sokol Çapjas, i quajturi Florenc Çapja.Burri im m’i tregoi me hollësi të gjitha rrethanat e ngjarjes, si edhe veprimet që kishte bërë për t’i ardhur në ndihmë Fadilit, duke e gjuajtur me gurë autorin në momentin që po bëhej gati ta qëllonte Fadilin, ku e kishte drejtuar automatikun. Këtë moment, burri im e ka deklaruar në polici po atë ditë në  ndarkë, pasi erdhi policia në shtëpinë tonë dhe e mori me vete për ta pyetur rreth ngjarjes.

Gjithashtu, bashkëshorti im më tregoi se menjëherë pas ngjarjes, kishte njoftuar policinë që të bllokonte makinën me të cilën po largoheshin autorët e krimit, duke i dhënë të dhëna policisë për llojin dhe tipin e makinës, por me sa dimë, nuk u krye ndonjë veprim nga ana e policisë. Burri më tha se makina me të cilën udhëtonin autorët e krimit ishte tip “BMV”, ngjyrë gri, me portobagazh.Gjithashtu u ka thënë që të kontrollonin edhe pallatin te kinezët, në lagjen e të dashurës së Artit.Kjo hyrje u kontrollua vetëm 10 ditë para vrasjes së burrit tim dhe plagosjes së kamarierit Edmond Pashai.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • trima: 03/07/2019 15:07

    Me shtet behen trima te gjithe. Kjo nuk do te thote qe capet jan legena. Ata jan shum dhe me shtet se te ishin pak si jan te tjeret sdo ishin kaq sa jan te fryre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'

Zgjedhjet në Kosovë/ Deputeti i LDK-së: Kurti ka blerë 582 milionë € energji në bashkëpunim me kompani serbe! Në dialogun me Serbinë sillet si ‘one man show'