TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin me burg përjetë për Florenc Çapjan dhe xhaxhanë e tij, Ardian Çapja, që është kreu i grupit kriminal të njohur të Çapjave të Elbasanit. Ata janë shpallur fajtor për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.

Treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli, Ervis Bardhi duke miratuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.

Kështu ka mbetur në fuqi dënimi me nga 25 vite burg për Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani, si dhe dënimi me 15 vite burg për Ervis Bardhin.

Florenc Çapja u soll nga Dubai në maj të vitit 2025, pasi ishte në arrati prej 10 vitesh. Përveç dënimit me burg përjetë për vrasjen e babë e bir, ai ishte shpallur së fundmi në kërkim për vepra të tjera penale nga SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit.