Të ruhet apo jo godina e Teatrit Kombëtar, kjo është çështja. Reagimet janë të shumta, disa janë për ruajtjen e godinës, e disa të tjerë duan, që në këtë territor të ndërtohet një teatër i ri dhe modern. Për herë të parë për këtë debat flet për Shqiptarja.com një nga artistet më të njohura shqiptare, Drita Haxhiraj.
Në këtë rrëfim të rrallë për Shqiptarja.com, aktorja shpjegon se përse ajo edhe bashkëshorti i saj, regjisori dhe aktori Fatos Haxhiraj, kanë nënshkruar për një teatër të ri, si dhe kushtet që projekti fitues duhet të plotësojë sipas tyre.
Ajo rrëfen se ndërtimi i një godine të re është diskutuar, që prej viteve 1972-'73, si dhe tregon për herë të parë se cili ka qenë qëndrimi i aktorëve të mëdhenj, si Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka lidhur me këtë çështje.
Aktorja shprehet se teatri duhet të jetë një godinë e re, moderne dhe serioze. “Nuk duhet të ndërtohet sa për të kaluar radhën dhe jo për të përfituar ndonjë tjetër. Në asnjë mënyrë!”. Haxhiraj, e cila ka interpretuar për 25 vite në skenën e TK, shton se projekti i ri duhet të shërbejë, si Teatër kombëtar dhe të mos cenohet territori.
Unë edhe Fatosi kemi nisur të punojmë në Teatrin Kombëtar gati që fëmijë, pasi mbaruam universitetin. Në atë godinë ruajmë kujtime të hidhura edhe të ëmbla. Godina është shumë e shtrenjtë për ne, është “Jerusalemi ynë”, siç ka thënë dhe Robert Ndrenika. Por duhet t’ju them se gjendja e saj fizike është e rëndë. Kur ne futeshim poshtë skenës për të kaluar në anën tjetër, atje kishte lagështirë dhe mykë. Atje janë sëmurur edhe shumë aktorë. Të gjithë ata artistë, që e krijuan teatrin kanë qenë pedagogët tanë.
Unë jam emëruar në teatër në vitin 1967, kur mbarova Institutin e Lartë të Arteve. Të gjithë aktorët, në vitin 1972-'73, duke filluar nga më të mirët edhe më të fortët në zë, si Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, sepse ne ishim të rinj asokohe, diskutonin për të bërë një teatër të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmurë nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë edhe të fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta kolegu dhe partneri, që nga fëmijëria Roland Trebicka.
Nuk ka qenë një teatër për të qenë. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem se duhet një teatër i ri. Artistët tanë të mëdhenj i kanë kërkuar në mbledhje Manush Myftiut teatër. Kur u ngrit problemi që duhet bërë teatër i ri, ata thanë: “Ju lutemi, i thoni Partisë për teatër”. Myftiu ra dakord, duke u thënë, se do t’ju kthente përgjigje. Mirëpo amaneti i vërtetë i atyre, që krijuan teatrin ishte: “Nuk duam të lëvizim nga ai vend. Të ndërtohet ku është! Ju bëni teatrin këtu dhe ne shkojmë për shfaqje tek Instituti i Arteve”. Por, ishte edhe një ide, që teatrin të na i ndërtonin te sheshi “Avni Rustemi”. Por, artistët nuk ranë dakord. “Në asnjë mënyrë. Teatrin do ta bëjmë këtu, se këtu ka lindur”. Ata donin vendin, territorin, por jo muret.
Ky është amaneti i tyre! Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër. Të jetë aty ku është, të ndërtohet bukur edhe t’u vlejë brezave të ardhshëm. Në atë mbledhje Violeta Manushi i tha Manush Myftiut se: “Ne s’do arrimë, por bëjeni për këta të rinj, se janë të talentuar”. Edhe unë kam shumë dëshirë, që ta shikoj projektin e ri. Jam shumë e lidhur shpirtërisht më të vjetrin, por duhet ndërtuar i ri për aktorët që punojnë në të, edhe për brezat e ardhshëm. Teatri Kombëtar duhet të jetë për publikun dhe aktorët. Ky është mendimi im edhe i Fatosit!Aktorja Drita Haxhiraj
A ju ka shperblyer Rama me pensione te larta? Beni mire qe ja shperbleni.
PërgjigjuE madhe je o Drita! Te admiroj edhe me shume me kete. Gezime dhe shendet te kesh!
Përgjigju