ChatGPT është bërë për shumë njerëz si "asistenti" që pyetet për gjithçka. Nga një recetë gatimi, një CV apo një email, deri te këshillat për shëndetin apo problemet në punë. Por pikërisht kjo besim i madh ndaj inteligjencës artificiale po shqetëson ekspertët e privatësisë.
Ata paralajmërojnë se, edhe pse chatbotët mund të jenë shumë të dobishëm, nuk janë vendi ku duhet të ndani çdo informacion personal. Sipas ekspertëve të cituar nga HuffPost, ka disa të dhëna që është më mirë t'i mbani larg çdo bisede me inteligjencën artificiale.
Të dhënat që mund t’ju identifikojnë
Emri i plotë, adresa e banimit, numri i telefonit, numri personal, pasaporta, patenta apo dokumente të tjera zyrtare nuk duhen ndarë me një chatbot. Ekspertët shpjegojnë se këto të dhëna mund të regjistrohen ose të përpunohen dhe, në rast se bien në duar të gabuara, mund të përdoren për vjedhje identiteti, mashtrime apo sulme të personalizuara. Edhe kur ngarkoni një dokument për ta analizuar, këshillohet që fillimisht të hiqni çdo informacion që ju identifikon.
Detajet më personale të jetës suaj
Për shkak se ChatGPT komunikon në mënyrë natyrale, shumë përdorues harrojnë se nuk po flasin me një person. Kjo i bën ata të ndajnë probleme familjare, histori intime apo situata shumë personale. Ekspertët paralajmërojnë se kjo krijon një ndjenjë të rreme sigurie. Ndryshe nga një psikolog, mjek apo avokat, një chatbot nuk ka detyrime ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit, ndaj nuk duhet trajtuar si një person të cilit mund t’i besoni gjithçka.
Dokumentet dhe informacionet mjekësore
Shumë njerëz përdorin Inteligjencën Artificiale për të kuptuar analiza laboratorike, raporte mjekësore apo diagnoza. Ekspertët nuk e përjashtojnë këtë përdorim, por këshillojnë që para se të ngarkoni një dokument të fshini emrin, datëlindjen, numrin e kartës së identitetit dhe çdo të dhënë tjetër që mund t’ju identifikojë. Ata kujtojnë gjithashtu se chatbotët e zakonshëm nuk funksionojnë sipas të njëjtave rregulla të privatësisë që zbatohen për profesionistët e kujdesit shëndetësor.
Informacionet konfidenciale të punës
Një tjetër gabim i zakonshëm është ngarkimi i raporteve të brendshme të kompanisë, kontratave, të dhënave të klientëve, kodeve burimore apo dokumenteve që mbrohen nga marrëveshje konfidencialiteti. Sipas ekspertëve, edhe një kërkesë e vetme që përmban materiale të ndjeshme mund të krijojë probleme ligjore, kontraktuale ose rregullatore, si për punonjësin ashtu edhe për kompaninë ku ai punon.
Të dhënat financiare
Llogaritë bankare, kartat e kreditit, informacionet për investimet, dokumentet mbi të ardhurat apo deklaratat tatimore janë ndër të dhënat që nuk duhet të ndahen me chatbotët. Nëse këto informacione ekspozohen, ato mund të përdoren për mashtrime financiare ose sulme të personalizuara ndaj përdoruesit dhe familjes së tij.
Ekspertët këshillojnë që përdoruesit të kontrollojnë gjithmonë cilësimet e privatësisë në platformat e Inteligjencës Artificiale dhe, kur kjo është e mundur, të kufizojnë përdorimin e bisedave për trajnimin e modeleve. Një zgjidhje e thjeshtë është përdorimi i pseudonimeve ose përshkrimeve të përgjithshme në vend të emrave dhe të dhënave reale, në mënyrë që AI të ketë kontekstin e nevojshëm pa marrë informacione personale apo konfidenciale.










Komente
Komento