Donald Trump thotë se iu bë padrejtësi në gjyqin e Nju Jorkut javën e kaluar nga një gjykatës, gjë që sipas tij i ka dhënë arsye të mjaftueshme për apelim.
"Pra, ne do ta apelojmë këtë gjyq të manipuluars. Ne do ta apelojmë atë për shumë arsye. Ai nuk na lejoi të sillnim dëshmitarë, të flisnim apo të bënim gjë tjetër. Gjykatësi ishte një tiran", tha zoti Trump.
Ish-Presidenti Trump u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat e përdorura për të ndikuar në mënyrë të paligjshme zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Trump thotë se gjyqi ishte “manipuluar” nga mbështetësit e presidentit Joe Biden.
Zoti Biden thotë se shpallja fajtor e zotit Trump është një konfirmim se askush nuk është mbi ligjin.
"Tani atij do t'i jepet mundësia, siç duhet, të apelojë atë vendim ashtu si gjithë të tjerët. Kështu funksionon sistemi amerikan i drejtësisë. Dhe është e pamatur, e rrezikshme dhe e papërgjegjshme që dikush të thotë se gjyqi është manipuluar vetëm sepse nuk i pëlqen verdikti gjyqësor”, tha ai.
Në apel, avokatët e zotit Trump mund të fillojnë me faktin nëse statuti i përdorur për ta ndjekur penalisht atë ishte tepër i paqartë, thotë profesorja e drejtësisë në Universitetin Georgetown, Abbe Smith.
“A është vetë statuti aq i gjerë apo i paqartë sa të mund të përfshijë shumë njerëz të cilët nuk do ta dinin saktësisht se me çfarë po përballeshin, nuk do të mund ta kuptonin se çfarë parashikon dhe çfarë lejon ligji , duke patur parasysh mënyrën se si ishte formuluar statuti?", thotë ajo.
Ekspertja e drejtësisë Abbe Smith thotë se avokatët e zotit Trump mund të shikojnë më pas nëse gjykatësi i çështjes ka lejuar përfshirjen e provave që nuk duhej të paraqiteshin apo nëse ka penguar paraqitjen e provave nga mbrojtja.
“Kur ne donim të bënim diçka, ai nuk e lejonte. Por kur prokurorët donin diçka, atyre u miratohej gjithçka. Ata morën gjithçka që dëshironin”, tha zoti Trump.
Zoti Trump mund të apelojë vendimin edhe duke u bazuar në idenë se avokatët e tij nuk kanë vepruar në mënyrë efektive.
“Mendoj se këtu, ndoshta dështimi i avokatit mbrojtës për të kundërshtuar dëshminë e Stormy Daniels, që sugjeronte se marrëdhënia seksuale mes saj dhe zotit Trump nuk ishte bërë me konsensus, mund të jetë një bazë e mirë ligjore për apelim të vendimit bazuar në veprimet jo efektive të avokatit”, thotë ekspertja ligjore Abbe Smith.
Cilado qoftë strategjia e tyre, zoti Trump dhe avokatët e tij nuk kanë gjasa ta apelojnë verdiktin gjyqësor përpara dënimit të tij më 11 korrik, thotë profesori i Kolegjit juridik John Jay, David Shapiro.
“Ai ka të ngjarë të presë dënimin. Në këtë mënyrë ai dhe avokatët e tij do të kenë një perspektivë të plotë mbi pasojat me të cilat do të përballet ai, përfshirë ndikimin në burimet financiare të zotit Trump”, thotë ai.
Një vendim për apelin nuk ka gjasa të merret përpara ditës së zgjedhjeve, thotë ekspertja Abbe Smith.
"Ky nuk është një proces i shpejtë. Edhe nëse Divizioni i Apelit e konsideron këtë një rast të veçantë dhe urgjent për shkak të zgjedhjeve presidenciale, unë nuk mendoj se për këtë do të mund të merrej një vendi para nëntorit", thotë ajo.
Nëse dënimi i tij nuk përmbyset përpara ditës së zgjedhjeve, zoti Trump do të jetë kandidati i parë presidencial i një partie të madhe në Shtetet e Bashkuara i shpallur fajtor për një vepër penale./ VOA