/ATSH/- Një grup ekspertësh të kryesuar nga zv.ministri i Financave, Erjon Luçi, po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të studiojnë interesat në këtë treg për rinovimin e eurobondit prej 300 milionë eurosh. Ministria e Financave kërkoi konsulencë ligjore për rinovimin e eurobondit që do të bëhet gjatë këtij viti.
Shqipëria emetoi eurobondin e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare në nëntor të vitit 2010. Eurobondi është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë.
Ky instrument financiar është i ngjashëm përsa i përket strukturës, me obligacionet që qeveria shqiptare nxjerr në tregun vendas përmes ankandeve të letrave me vlerë, por dallimi kryesor qëndron sepse: (i) tregtohet ekskluzivisht në tregjet ndërkombëtare financiare, dhe jo në tregun vendas (ii) është emetuar në monedhë të huaj, në euro dhe jo në lekë.
Disa nga karakteristikat kryesore të eurobondit janë përshkruar më poshtë:
o Shuma: euro EUR 300,000,000
o Data e Maturimit: 4 Nëntor 2015
o Bursa ku tregtohet: Bursa e Londrës
o Çmimi i emetimit: 99.496
o Interesi në momentin e emetimit (Yield): 7.625
o Kuponi: 7.50