TIRANË - “Nga mënyra si është dëmtuar dhe ku, më çon në logjikën që nuk duhet ta ketë pasur rripin e sigurimit. Nuk besoj se do kishte humbur jetën, nëse do ta kishte vënë, se rripi i sigurimit nuk është luks, s’vihet për policin, por për të ruajtur jetën tënde”. Kësisoj ka analizuar në studion e televizionit “A1 Report” ekspert i policisë rrugore, Gëzim Hoxha, mbi humbjen tragjike të jetës së deputetit të PD, Sokol Olldashi në aksident rrugor.

Edhe pse nuk ka qenë në vendngjarje, nga sa ka parë në media Hoxha ka shpjeguar mënyrën se si mund të ketë rënë trupi i Olldashit dhe ka theksuar se airbagët e një makine si Benzi i Olldashit të ruajnë, por trupi shkon mjaft përpara, sepse ikja për inerci krijon forcë goditëse, nëse s’ke rrip sigurimi. Rripi nuk të lë të ikësh përpara apo koka lart. “Rripi i sigurimit duhet përdorur nga të gjithë jo vetëm jashtë Tiranë, por dhe brenda. Në aksidente humb jetën edhe me shpjetësi të vogël”.

“Nuk mendoj se makina e Olldashit ka rrëshqitur. Nuk bëhet fjalë për rrëshqitje, se ajo makinë është e mirë, e re dhe nuk rrëshket. Madje këto cilësi kanë ndikuar te besueshmëria e Olldashit te automjeti, e nga besueshmëria bëhen dhe gabime”, ka vijuar analizën e tij Hoxha.

Duke marrë shkak nga aksidenti, Hoxha ka analizuar sigurinë tonë rrugore, duke shtuar mungesën e sinjalistikës horizontale dhe vertikale si tabela të kombinuara. “Mungesa nuk e orienton dot drejtuesin e mjetit, duke shtuar këtu edhe natën e mbrëmshme, me stuhi, furtunë, kjo ka sjellë çorientimin e Olldashit, sidomos në Kërrabë, zonë që mban shumë mjegull dhe ulet shikueshmëria. Edhe ditën me diell Kërraba është e vështirë. Shto dhe shpejtësinë e mjetit, siguria te makina e mirë si ajo e zotit Olldashi”. 
Hoxha ka theksuar se 18% e investimeve për sinjalistikën nuk realizohen. Pa sinjalistikë s’mund të mos kemi aksidente. Rruga e Kombit ka sinjalistikë shumë shqetësuese. Nuk ka sinjalistikë për të thënë këndin e kthesës, se me sa shpjetësi mund të hysh në këtë kthesë. Mungesa rregulluese e shpejtësisë sjell në aksidente".

I pyetur mbi faktin se zoti Olldashi ka qenë duke kryer një telefonatë të mundshme kur ka pësuar aksidentin, Hoxha u përgjigj se “edhe përdorimi i telefonit në kufje të tërheq vëmendjen, pasi makina drejtohet me mend. E nëse heq përqendrimin, e varet edhe çfarë bisedon, mund të jetë dhe diçka stresuese, humbet vëmendjen e për t’u përfshirë në aksident duhet gjysmë sekondi, ndaj do shumë vëmendje".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)