Ekspozitë me pikturat e bëra
mes flakëve të luftës në Kosovë

Ekspozitë me pikturat e bëra<br />mes flakëve të luftës në Kosovë
TIRANE- Artisti i ri nga Kosova Rron Qena do të çelë ekspozitën personale të dielën në “Tirana Ekspres”. Pikturat e tij kanë si temë luftën e Kosovës, e cila do të shënonte dhe një kthesë përfundimtare në lidhjen e tij me pikturën.

“Piktura do të kthehej në shpëtimin tim ato vite. Fillova të pikturoja më shumë duke shprehur në telajo gjithçka që ndjeja”, tregon ai. Teksa Kosova digjej nga flakët serbe, ngjyrat dhe pikturat e bënin të ndihej i sigurt. Rron Qena e ka emërtuar ekspozitën e tij “Rron Qena n’Shqipëri”. Kjo ekspozitë do të përmbajë punët e realizuara gjatë tre muajve të tij në Shqipëri, por dhe punë të tij të mëparshme për të bërë një prezantim të plotë para publikut. Prej kohësh ai ka nisur një udhëtim në kërkim të qyteteve interesante, të cilat do të mund t’i ofrojnë subjekte për telajot e tij. Pas Parisit, Amsterdamit, Berlinit, tashmë ishte Tirana stacioni ku ai donte të ndalej.

“Pasi mora ftesën nga “Tirana Ekspres”, problemi qëndronte në gjetjen e një vendi, i cili do të bënte të mundur qëndrimin tim në Tiranë për të krijuar punët. Rastësisht në Prishtinë takoj një gjerman dhe në bisedë e sipër teksa i tregoj për idenë, më thotë se mund të rrija në ‘Hostel Albania’, ku mund të bëja disa murale dhe të krijoja për ekspozitën”, tregon Rroni.

Bashkë me punët e ekspozitës, Rroni ka pikturuar dhe katër murale në këtë hotel. Impresioni i parë që e ka frymëzuar për ta hedhur në pikturë në Tiranë ka qenë lumi i Lanës. Në Prishtinë, mungon një lum i tillë, dhe Rroni ka dashur t’i japë këtij lumi ngjyrën që do të donte ai të kishte. Në telajo Lana vjen e kaltër, duke sfiduar të errëtën e trishtuar që e ka pushtuar prej kohësh. Berati është një tjetër kompozicion që do të prezantohet nga Rroni në ekspozitë. Ky qytet me kaq shumë histori gjithnjë e ka mahnitur me imazhin që mbart.

Është e vështirë të gjesh artistë që duan të bëjnë rolin e piktorit në këtë kohë, ku arti ka devijuar në forma të reja siç është instalacioni, videoja dhe ku duket se piktura ka vdekur. Kur la Parisin për të udhëtuar drejt Prishtinës, Rroni nuk mund ta mendonte se do t’i duhej kohë, që brenda tij të shfaqej sërish lidhja me ngjyrat. Përmes tyre, ai rizbulon dimensione të reja të vetvetes, por dhe një dëshirë që nuk ka fund për të pikturuar…

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri