Ekspozita/ Dorëshkrimi 120-vjeçar
Alighieri i përkthyer në arbërisht

Ekspozita/ Dorëshkrimi 120-vjeçar<br />Alighieri i përkthyer në arbërisht
TIRANE- Ekspozohet për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dorëshkrimi i sprovës së parë të përkthimit të Dante Alighierit në gjuhën shqipe. Në foto shihet dokumenti i parë i përkthimit të “Komedisë Hyjnore” prej Luigi Lorecchio (Luigji Lorekios), që daton në vitin 1895, në gjuhën e arbëreshëve të Italisë. Prej 120 vjetësh Dante Alighieri ka nisur të flas shqip.

Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës ka ekspozuar dje me rastin 750-vjetorit të Dante Alighierit dorëshkrimin e Luigi Lorecchio-s në dialektin e arbëreshëve. Ekspozitës i bashkëngjitet edhe botimi i sprovës së parë të përkthimit në organin botues të arbëreshëve “Antologjia albanneze”, më 1896 që drejtohej nga rilindësi i shquar Jeronim de Rada. Dorëshkrimi i Liugi Lorecchio, sipas kuratorit të ekspozitës Lisandri Kola është dëshmuar edhe nga fondi Gargoyles dhe është cituar nga M.Lamberci.

Deri më sot dëshmohet se ky është përkthimi i parë i Dante Alighierit në gjuhën shqipe. “Tashmë “Komedia Hyjnore” gëzon disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premton ende”, thotë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, duke i cilësuar si “Guxim e joshje marramendëse, identifikim konceptual e rikrijim estetik, sprovat dhe orvatjet e pandërprera për ta përkthyer Danten, për ta rrokur me gjuhë, me mend e me shpirt si një ndër rrugëtimet më të plota në historinë tonë kulturore”.

Në ekspozitë janë edhe dokumente të rralla nga përkthimet e Pashk Gjeçit për Danten, të Mark Ndojës, fragmente të Nikollë Dakës, etj. Ndërsa kuratori i ekspozitës Lisadri Kola pohon se ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor, shprehet më tej se kjo ekspozitë është është e konceptuar me përfshirjen e dokumenteve nga përkthyes e poetë, të cilët, Ferrin simbolik të Dantes e përjetësuan në gjuhën shqipe, por edhe e jetuan çnjerëzisht burgjeve e kampeve të internimit komunist.

Në ekspozitë janë përfshirë edhe perceptimet e kritikës letrare shqipe për Danten, që nga De Rada, Martin Camaj e deri te Ismail Kadare, për më shumë se një shekull. “Aty janë selektuar rreth 30 për qind të materialeve që janë për Danten”, thotë kuratori.

Sipas tij rëndësi bashkë me dorëshkrimin e parë në arbërisht të Luigi Lorecchio ka edhe prania e dorëshkrimit nga Mark Ndoja deri tek “draft-paralajmërimi” i përkthimit më të fundit të Dantes nga Neritan Spahija, që plotëson kuadrin gjuhësor mbarëshqiptar me të cilin flet Dante Alighieri: arbërisht, gegnisht, toskërisht dhe në gjuhën standarde.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar