Imazhi i gjyshes së saj duke endur qilima në tezgjah ka mbetur i gjallë në kujtesën e Elonës. Deri pak kohë më parë, ajo nuk e mendonte se do të ndiqte të njëjtën rrugë. Sot, së bashku me Brunilda Hushin, është pjesë e sipërmarrjes “Tradita Ime Artizanale” në Elbasan, ku prej gati një viti po mësojnë mjeshtërinë e thurjes së qilimave.

“Ne jemi punëtore të reja... kemi filluar të merremi me gjërat e thjeshta... Jemi munduar t'i thurim me ndihmën e zonjave që janë artizane dhe të nxjerrim një produkt të thjeshtë.”, thotë Elona Qosja, punëtore në punishten “Tradita ime artizanale”.

Edhe pse puna kërkon durim dhe përkushtim, për Brunildën është kthyer në një zanat që dëshiron ta vazhdojë.

“E vështirë është... një çentiletë si kjo të ha një orë kohë. Por është punë e bukur. Kemi afro një vit që punojmë dhe nuk e dinim fare se ç'ishte kjo punë.”, thotë Brunilda Hushi, një tjetër punëtore në punishten “Tradita ime artizanale”.

Punimet e tyre, së bashku me krijimet e artizaneve të tjera do të ekspozohen gjatë gjithë muajit gusht në “Publik Galeri” në Tiranë, një galeri e krijuar në një pronë të konfiskuar falë mbështetjes së Agjencisë së Administrimit dhe Konfiskimit të Pronave. Ekspozita “Thurja e Qilimave”, e organizuar nga sipërmarrja sociale “Tradita Ime Artizanale”, synon të promovojë traditën shqiptare duke e përshtatur atë me kërkesat e kohës.

“Sot një qilim artizanal nuk është vetëm për të ruajtur traditën, por edhe për të ruajtur shëndetin. Është ekologjik dhe përshtatet me arredimin bashkëkohor. Tradita Ime Artizanale mbështet gratë dhe vajzat në nevojë, duke u krijuar mundësi punësimi dhe të ardhura për familjet e tyre.”, thotë Saimir Bakalli, drejtues i sipërmarrjes “Tradita ime artizanale” dhe i fondacionit joqeveritar “Joscelyn”.

Edhe sipërmarrja “Tradita Ime Artizanale” funksionon prej pesë vitesh në një pronë të konfiskuar në Elbasan. Mungesa e kostos së qirasë i ka lejuar organizatorët të investojnë në trajnimin dhe punësimin e grave që nuk kanë pasur më parë një profesion.

“Çdo vit marrim gra dhe vajza të reja që nuk e kanë gjetur veten në tregun e punës. I trajnojmë dhe i bëjmë të pavarura. Shumë prej tyre më pas janë integruar në tregun e punës. Për shumë vajza kjo lidhet edhe me traditën familjare, sepse e kanë parë gjyshen ose nënën ta bëjë këtë punë.”, vijon Bakalli.

Përveç qilimave, në punishte prodhohen edhe çanta, dyshekë leshi dhe produkte të personalizuara me porosi, duke mundësuar kështu ruajtjen e trashëgimisë artizanale shqiptare dhe duke krijuar mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi social.