Ekspozita, Ilirjan Shima, frymëzime
nga vathi ilir 4000-vjeça

Ekspozita, Ilirjan Shima, frymëzime<br />nga vathi ilir 4000-vjeça
TIRANE- “Ilirian Shima është një njohës shumë i mirë i materialeve klasike të skulpturës dhe kryesisht punon në formë ciklesh në mermer, dru, gur e bronz. Skulpturat e tij, kryesisht në dimensione modeste, janë­ të realizuara mjeshtërisht në teknika tradicionale si derdhja apo gdhendja. Ato ofrojnë emocione të fuqishme dhe zgjidhje kompozicionale elegante”. Ky është vlerësimi që i bën drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve skulptorit të njohur në lajmërimin për çeljen e ekspozitës. Ekspozita personale e Ilirjan Shimës që titullohet “FARAJON” do të çelet më 29 Maj 2014, ora 19.00 në Galerinë kombëtare të Arteve në Tiranë.
 
Kjo ekspozitë përmban mbi 40 vepra dhe tregon punët e artistit që i përkasin harkut kohor 1990 – 2014. Mes veprave që do të ekspozohen përfshihen punë të periudhave të hershme, siç janë “Aenaon” (1990) dhe “Sisifos” (1998), ndërsa serisë së punëve të fundit i përkasin pesë krijime të bëra enkas për këtë ekspozitë:  “Mediterranean Earth” (2014, triptik, bronz); “Eternity” (2014, dru); “The Rape of Europa” (2014, bronz); “Briharpa” (2014, dru, tela dhe altoparlantë) dhe “Farajon” (2014, bronz). Në ekspozitë do të jetë një cikël i veçantë me skulptura, ku shquhet delikatesa në mënyrën e trajtimit të mermerit, format elipsoide, të mbyllura të cilat nxjerrin në pah vepra skulpturore mjeshtërore.
 
Cikli i tri i skulpturave të Ilirjan Shimës është i fokusuar në organet riprodhuese njerëzore. Artisti mjeshtërisht ka derdhur dhe gdhendur simbole të fuqishme dionisake, të trajtuar gjerësisht dhe me veneracion sidomos në kulturat helenistiko –romake.
 
Emërtimi “Farajon” i kësaj ekspozite ka lidhje me dashurinë që artisti ka për vendin e tij, për gjenezën e tij si shqiptar dhe është inspiruar nga imazhi i një vathi ilir 4000-vjeçar. Kjo vepër arti erotike mashkullore për artistin simbolizon fuqinë e madhe ripërtëritëse të kombit shqiptar.
 
Ideja e autorit Shima është që në mënyrë sintetike artistike të jepet ideja e krijimit të “ILIRIT” si imazh dhe personazh nga është dhe vetë origjina e shqiptarit. Ilirian Shima u lind më 1964 dhe diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, 1989, në atelienë e arteve të aplikuara drejtuar nga Prof. Thoma Thomai dhe Kristo Krisiko. Kjo është ekspozita e parë personale e këtij autori në Galerinë Kombëtare të Arteve.
 
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 Qershor, 2014 Skulptori Shima pas mbarimit të studimeve të larta punoi për rreth një vit e gjysmë në ndërmarrjen artistike “Migjeni” në Tiranë e në vitin 1991 vendoset me banim në Athinë – Greqi, ku njohu edhe shkëlqimin e talentit të tij.
 
Shkrimi u publikua në Shqiptarja.com (print), 28 maj 2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike