Ekspozita/ Lame-Zariçit: Avioni
  serb i pari që pushtoi Tiranën

Ekspozita/ Lame-Zariçit: Avioni<br />  serb i pari që pushtoi Tiranën
TIRANE- Fotot ku duken shtigjet me borë e malet e ashpra; uria e madhe, saqë një ushtar serb ha borë e tjetri mish nga trupi i një kali të vrarë; vargu i gjatë me kufoma brigjeve të Adriatikut dhe në një foto tjetër mbreti Peter i Serbisë bashkë me familjen e tij: në gjendje të rrënuar dhe të mjerë. Të gjitha këto foto shpalosin një faqe të panjohur të historisë shqiptaro-serbe pas viteve 1900.  

Në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, u çel mbrëmë ekspozita për një ngjarje të madhe të historisë së Serbisë gjatë Luftës I Botërore, e njohur si “Tërheqja e madhe”. 100 vjet më parë Mbretëria Serbe u gjet përballë një sulmi frontal të ushtrive gjermano-austro-bullgare.

Duke mbetur pa rrugëdalje, armatat serbe, të demoralizuara dhe pa shpresë, u tërhoqën nëpërmjet maleve të Shqipërisë. Auron Tare organizator i kësaj ekspozite rrëfeu qëllimin e prezantimit të këtyre imazheve. Tare duke kujtuar se historia serbe flet për humbjen e 150 – 200 mijë ushtarëve dhe civilëve serbë rrëfeu qëllimin e organizimit të kësaj ekspozite. Ndërkohë në këtë ekspozitë shquhen edhe pamje të të gjithë familjes mbretërore serbe, të hipur në një qerre të tërhequr nga buaj të paushqyer.

Kishte foto ku vetë mbreti Peter dukej me një pamje të vuajtur. “Kjo tërheqje tragjike dhe humbjet e mëdha të serbëve hynë në histori si “Tërheqja e Madhe”, një histori krejt e panjohur për historinë tone”, u shpreh organizatori i kësaj ekspozite Auron Tare, duke theksuar se realizimi nisi si një projekt në mbështetje të thirrjes së UNESCO-s për përkujtimin e ngjarjeve të mëdha të Luftës së Parë Botërore. Për sjelljen e fotove të kësaj ekspozite ka dhënë ndihmesë Arkivi Ushtarak i Beogradit, mbështetur edhe nga Konsullata Austriake e Nderit e Shkodrës dhe Ambasada e Republikës së Serbisë.
 
Ekspozita, në vendin ku u ul avioni i pushtuesve serb
Në hapjen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç. Pasi shprehu dhimbjen për tragjedinë kombëtare të Serbisë gjatë pushtimit nazist, ai tha se “Kjo ekspozitë, nuk është rëndësishme vetëm për shtetin apo për popullin serb, por është e rëndësishme për marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Serbisë.

Ai shtoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë do të kenë zhvillime pozitive në të ardhmen. Por dje ambasadori serb u vu re të të skuqej në fytyrë nga një fakt historik, që ia kujtoi pas fjalës së tij Artan Lame, ku bëri të ditur se serbët pavarësisht se kaluan nëpër vendin tonë si viktima të Luftës së Parë Botërore, ata në një rast tjetër kanë sjellë të parin avion pushtues luftarak në Tiranë gjatë Luftërave Botërore.

Lame e kujtoi këtë ngjarje në kontekstin e një retorike diplomatike, duke folur në krah të ambasadorit serb, Miroljub Zariç. Lame u shpreh se “Është një ngjarje që unë e ndjek, një histori që ka tërhequr dhe goditur me dramaticitetin e vet, që për fat të keq njihet shumë pak. Me sa di unë në Shqipëri zor të gjesh 100 veta që e dinë këtë fakt, ndërkohë që është një ngjarje që ka ndryshuar fatin e kombeve. Përgjithësisht kombe si këto të Ballkanit, për t’u kthyer nga tribu në kombe dhe shtete moderne, duhet të kalojnë nga tragjedi të mëdha kombëtare.

Besoj se konsiderohet në historiografinë serbe se ajo që e ktheu Serbinë nga një shtet tribush, nga një grup fisesh ende të pakonsoliduara një shtet modern të shekullit të 20-të, qe pikërisht tragjedia e madhe serbe në Luftën I Botërore, e cila i dha mundësi të ulej në një tavolinë me fituesit pas Luftës Botëror dhe të krijonte të drejtën e asaj që realizoi Jugosllavinë e vjetër, siç quhej apo atë që ishte Jugosllavia që vijoi më tej. Pikërisht mbi këtë tragjedi kaloi ky inter shtetëror i Serbisë së shekullit të 20-të.

Lame e konsideroi tërheqjen e madhe të serbëve si një nga ngjarjet më të forta të krejt Ballkanit të shekullit e 20-të. “Ishte një  tragjedi që vetë serbët e përjetuan, sidomos që po e shohin edhe tani me atë që po ndodh sot në Europë, prapë dyndje e drama refugjatësh”, tha Lame, duke u shprehur më tej se “Është për t’u analizuar sesi në psikologjinë e popullit serb u krijua imazhi si në ato baladat mesjetare që u ngritën ushtri apo me gjithë ushtri u ngritën gra e fëmijë, dy-tre divizione me të rinj serb të sapomobilizuar, por ende të paarmatosur. Gati i gjithë vendi u ngrit për të ikur nga Serbia, duke kaluar nëpër Shqipëri me të gjitha tragjedinë që e përcolli pas”.

Pas këtij fjalimi Lame bëri një apel për marrëdhëniet mes popujve: “Në fund të fundit, ajo që duhet t’i themi njëri tjetrit ne si ballkanas është se fuqitë e mëdha, sidomos në ngjarje të mëdha, siç janë luftërat botërore, na bëjnë të na kalojnë mbi kokat tona furtuna të tmerrshme, por që na bëjnë të kujtojmë që është më mirë të mbajmë njëri- tjetrin ne popujt e vegjël, se vetëm kështu i dalim në fund konfliktit”.

Duke kujtuar historinë kur serbët e humbën kryeqytetin e tyre dhe morën austriakët dhe prapë e kanë, Lame iu shpreh ambasadorit serb se “Ne e humbëm kryeqytetin tonë Tiranën atëherë, hynë serbët, austriakët, bullgarët, pastaj kush mundi, por prapë neve jemi në Tiranë.

Mjafton të kujtojmë për ta ç’dramatizuar pak në fund që pikërisht këtu ka qenë fusha e avacionit në Luftën e Parë Botërore. Pikërisht këtu  edhe avioni i parë që është ulur në Tiranë ka qenë serb në Luftën e Dytë Botërore dhe Kulla e Sahati ka qenë si pikë vrojtimi, dhe pastaj erdhën austriakët e kështu me radhë. Në fund të historisë u rregulluan të gjitha dhe ne prapë jemi këtu me njëri-tjetrin dhe jam i bindur, se do të vazhdojmë të jemi për shumë vite bashkë.
 
Shkreli: Ekspozita, refleksion të mos përsëritet historia
Serbët u luftuan edhe nga grupe të armatosura shqiptare që nuk harronin se çfarë masakre kanë bërë serbët vetëm një vit më parë në këto toka
 
Këshilltari i Kryeministrit Rama, Artan Shkreli, u shpreh për “Shqiptarja.com” për arsyet e mungesës së këtyre fakteve historike  në historiografinë shqiptare dhe rëndësinë e kësaj ekspozite. “Puna vjen që shpeshherë kultura jonë e përgjithshme është mbështetur për fat të keq në një historiografi, po të themi gjatë kohës së komunizmit, e cila ishte një histori që veçonte popullin shqiptar dhe aktivitetin e tij njerëzor brenda territorit ku jetonte nga popujt e tjerë dhe fqinjët, që për hir të së vërtetës ka qenë në një pozicion herë agresiv dhe herë paqësor me popujt e vendeve fqinje.

Kjo ekspozitë hap një dritare me një reflektim të thellë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ata që kanë luftuar këtu, që kanë korrur fitore ose që lanë kockat sipas rastit”, tha Shkreli. Shkreli tha se fotot janë si një reportazh që tregojnë sesi serbët u mundën nga të ftohtit, nga terreni i thyer, nga uria, sëmundjet, “por u mundën edhe nga grupe të armatosura shqiptare që nuk harronin se çfarë masakre kanë bërë serbët vetëm një vit më parë në këto toka”.

Sipas Shkrelit kjo ekspozitë është një reflektim se luftërat i bëjnë politikanët dhe jo populli i thjeshtë, duke kujtuar se nga kjo tragjedi rrodhi që te kombet u civilizuara të dëgjohej vullneti i popullit, por kjo frymë në Ballkan vjen vetëm tani. “Nuk harrojmë tragjedinë e popullit të Kosovës me kolonat që pushtuan kufijtë dhe po të mos ishte ndihma bujare e shqiptarëve do të ishte përsëritur kjo tragjedi”, tha Shkreli, duke komentuar se ekspozita është refleksion për të mos përsëritur historinë tragjike, ku sipas Shkrelit kjo ekspozitë shërben edhe si kanal dialogu ku popujt e Ballkanit nuk duhet të bëhen viktima të protektorateve për t’u bërë agresivë me njëri-tjetrin.
ekzpozita

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot