Fëmijë të grupmoshave 5 deri në 14 vjeç prej një muaji kanë pikturuar duke pasur në mendjen e tyre vetëm një qellim. Të hapnin një ekspozitë bamirësie, ku të gjithë të ardhurat e shitjeve të pikturave të shkojnë në ndihmë të fëmijëve të jetimores “Zyber Hallulli”.

Kjo ekspozitë bamirësie me 150 piktura nga 20 artistet e vegjël të “SOL ART STUDIO” është çelur këtë të dielë në ambientet e lokalit DOPPIO.
 
“Vendosëm të bëjmë një ekspozitë bamirësie duke munduar ti qëndrojmë pranë fëmijëve që janë më me pak fat se fëmijët normalë, me këtë rast fëmijëve jetim”, deklaroi Ilda Kapllani, piktore.

Kejvi Borici, vetëm 11 vjeç ka marrë pjesë në këtë ekspozitë pasi nëpërmjet pikturave , ai dëshiron që edhe fëmijët jetim të dinë më shumë për personazhet e filmave vizatimore.

“Unë kam marrë pjesë në një ekspozitë se më pëlqen shumë të pikturoj dhe të ndihmoj të tjerët sidomos të varfrit dhe të sëmurit, është shumë qejf ti ndihmosh të tjerët, që dhe fëmijët jetim, të varfër ose të sëmurët duhet të dinë gjithçka rreth personazheve ose gjërat që janë në modë”, thotë 11-vjeçari.
 
Të gjitha telajot në ekspozita janë të madhësisë 20 me 20 cm, ndërsa shitja e tyre shkon për një shumë prej 1 mijë lekësh. Shuma e mbledhura nga ekspozita do të dorëzohet nga vetë artistët e vegjël pranë shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.