Ekspozohen për herë të parë veprat e Kodrës, Cangonjit e Simon Rrotës, Artan Shabani: Arti shqiptar del nga anonimati

Ekspozohen për herë të parë veprat e Kodrës, Cangonjit e Simon Rrotës, Artan Shabani: Arti shqiptar del nga anonimati

Kuratori Artan Shabani

Piktura të panjohura të Ibrahim Kodrës, kryevepra të lëna në harresë të Abdulla Cangonjit, piktura të panjohura të Simon Rrotës, të Zef Kolombit, të Kristina Koljakës, e të tjera penelata brilante të artit shqiptar janë mbledhur në një koleksion të rrallë. Ky koleksion iu përket artistëve shqiptarë të fillimeve të ‘900-s dhe do të ekspozohet sot në Rezidencën e Ambasadorit Italian në Tiranë. Drejtori i projektit dhe kurator i kësaj ekspozite, të titulluar "Vizion  Kufijsh", Artan Shabani, në një intervistë për “Shqiptarja.com” flet për disa nga veprat e rralla, të cilat janë prezantuar edhe në një katalog. 



“Në këtë ekspozitë janë të prezantuar vetëm një pjesë e atyre artistëve që gjatë viteve, ndërmjet dy luftërave botërore studiuan në Romë, Firence, Trieste, Milano, etj. Disa nga veprat e këtij katalogu vijnë për herë të parë dhe kjo, shpresoj, e shton edhe më tej kureshtjen e shikuesit.”, shprehet në intervistën për “Shqiptarja.com” Artan Shabani. Ideja e projektit të Artan Shabanit shtrihet në paraqitjen para publikut të disa punimeve në pikturë, grafikë, vizatim, pastel, etj, sipas kriterit të një përzgjedhjeje, sipas rendit kronologjik të krijimit. 



Ekspozita, e cila zbulon për herë të parë vepra të rralla të pikturës shqiptare, të nxjerra nga fondet e tetë koleksionistëve të njohur dhe familjarëve të piktorëve, do të çelet me mbështetjen e Ambasadorit Alberto Cutillo, në Rezidencën e Ambasadës Italiane. Njohja dhe ruajtja në mënyrën më dinjitoze të mundshme të kësaj pjese të historisë është detyrë e të gjithëve, nga institucionet publike deri në arkivat familjare, të cilat trashëgojnë pikturat, skicat, skulpturat dhe gjithçka që ka lënë shenjë në krijimtarinë e secilit artist.
Për çeljen e kësaj ekspozite kanë bashkëpunuar Instituti Italian i Kulturës, familjarë të artistëve dhe koleksionistëve shqiptarë, të cilët kanë ruajtur trashëgimisë artistike të gjysmës së parë të Nëntëqindtës shqiptare, por edhe studiues të njohur që me veprat e tyre kanë ndihmuar në njohjen dhe vlerësimin e krijimtarisë  së kësaj periudhe.



Ekspozita, që do çelet sot në orën 19.30, do të vijojë të jetë e hapur që nga data 18 tetor për publikun, ku do të ndiqet procedurat e prenontimit përpara vizitës. Ndërkohë, ekspozita do të qëndrojë e çelur në Rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë gjatë periudhës tetor-dhjetor 2018, ku janë ekspozuar punët e artistëve Abdurrahim Buza, Abdulla Cangonji, Fadil Pullumbi, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Foto Stamo, Hasan Reçi,Simon Rrota, Nexhmedin Zajmi, Vangjush Mio, Zef Kolombi, Lin Delija, Vangjush Tushe. 

Intervista

Duket sikur në pamje të parë këto vepra iu përkasin privatëve, koleksionistëve. Megjithatë ju këmbëngulni që këto të ekspozohen dhe të kthehen në një vlerë të dukshme për publikun. Çfarë filozofie ka kjo përpjekja juaj?
-Kjo ka qenë një përpjekje jo e lehtë, sepse behet fjalë për gjysmën  parë të shekullit, pra të  gjysmës së 900-s.  Dhe konkretisht janë artistët shqiptarë që kanë studiuar në akademitë italiane. Dhe kur themi në akademitë italiane, jemi përafërsisht gjatë viteve ’30 deri në ‘43-44-ën. Në këto akademi  italiane kanë studiuar Ibrahim Buza, Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Foto Stamo, Kristina Koliaka. Dhe ën eskpozitë kemi Vangjush Tushen. Vangjush Mion, Kemi Fadil Pëllumbin, etj, etj. Por edhe në Shqipëri ka pasur një influencë  italiane në pikturë në ato vite, ose më saktë ka pasur një shkollë në Korçë. Aty studionte dhe Guri Madhi, dhe më vonë ai bënë edhe Akademinë jo më në Perëndim, por në Bashkimin Sovjetik. Dhe e kemi futur dhe brenda kësaj ekspozite, me kënaqësi për ta pasur bashkë me kolegët e vet. Është një ekspozitë që vjen për herë të parë në rezidencën diplomatikë të Ambasadës Italiane, të ambasadorit,  Alberto Kutilo, i cili me shumë dashamirësi, me kuriozitet dhe me një mendje të hapur, së bashku me Institutin Italian të Kulturës, u gjenden të gjithë në një mendje, në një dëshirë të përbashkët, që pse jo të mos ta prezantojë në zemër të Tiranës në këtë ambient që dikur Muzeumi “Lenin- Stalin”, por sot është një objekt diplomatik i Ambasadorit. Veprat të cilat prezantohen janë totalisht të koleksioneve private. Me arritjen e kësaj ekspozite, unë gjej rastin të falënderoj  të gjithë koleksionistët shqiptarë, që me shumë dashuri i kanë gjetur, ruajtur dhe koleksionuar, i kanë mbajtur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse ata janë kujdesur për to, dhe në veçanti për vlerën që kanë ruajtur, sepse këto janë vepra që i përkasin pjesës së parë të ‘900-s. Janë vepra jo të periudhës së realizmit socialit, janë vepra më të hershme dhe si përfundim kërkojnë më shumë përkushtim për t’u konservuar. Falënderoj gjithashtu trashëgimtarët e artistëve, siç është të themi, fëmijët e artistit Hasan Reçi, siç është familja e Fadil Pëllumbit, siç është familja e Guri Madhit, siç janë familjet e tjera të artistëve shqiptarë. Pra, burimet janë nga shqiptarët, kryesisht nga fëmijët e tyre, që i trashëgojnë dhe i posedojnë dhe janë koleksionistë shqiptarë, në Tiranë, në qyte të tjera në Korçë në Fier, dhe kjo ka pasur vështirësi, për të identifikuar këto koleksionet dhe për të bërë një përzgjedhje të këtyre veprave. 

Dëgjova mes autorëve të ekspozitës disa që janë përmendur shpesh në historiografinë e pikturës  shqiptare, por edhe disa autorë me vlerë që nuk janë  përmendur kurrë. Hasan Reçi është një emër jo shumë i njohur në publikun e gjerë. A mund të na hidhni pak dritë rreth këtij personaliteti?
-Padyshim, Hasan Reçi është një artist shumë interesant, ne në këtë ekspozitë kemi prezantuar një natyrë të qetë në vaj, qe është një nga më të mirat e kësaj ekspozite, që e ka një elegancë ekstreme të atyre viteve 40, të kuruar në detaj, ka portretin në pastel të Priamit, të birit të vet që sot është 72-vjeç. Në atë portret mund të ketë qenë rreth 7-8 vjeç. Ka portretin e nënës së artistit, një pikturë vaji në kanavacë,  që në fakt në impaktin e parë të duket një ikonë, jo në kuptimin e stilit, por në mënyrën e prezantimit, të duket një madonë. Një pikturë disi kishtare me këtë figurë melankolike në plan të parë, me të vërtetë shumë  e ndjerë. E para është një pikturë fine. Gjithashtu aq interesante ngelen dhe teknikat në letër, siç jemi prezantuar, një portret fshatari në sanguin. Kemi pikturën e  një djaloshi, të shkollës, të  akademisë italiane. Pra në këtë ekspozitë secili artist sjell biografinë e vet. Kjo ekspozitë do të shoqërohet me një katalog dhe secili artist ka ndihmuar edhe për konceptin kuratorial të ekspozitës, sepse çdo artist ka biografinë e dhe bibliografitë e tij, dhe stilin e vet. Janë të gjitha këto elementë që i vijnë publikut të kompletuar, që  lidhet gjithmonë me pjesën e këtij katalogu. Duhet thënë se po aq interesantë janë artistë e tjerë, si Vangjush Tushe, Foto Stamo. Kemi vepra të Vangjush Mios të viteve 1927. Ishte dhe jo e lehtë për të gjetur edhe punë të Vangjush Mios të atyre viteve, nga fundi i 1912-s e fillimi i 1940-s. Janë punë të trashëgimisë kulturore dhe si të tilla ruhen në këto koleksione private dhe janë të vlerësuara prej tyre ndërkohë.  

Sa koleksionistë janë që marrin pjesë në këtë ekspozitë?
-Përafërsisht janë tetë koleksionistë shqiptarë që marrin pjesë në këtë ekspozitë, janë edhe pjesë e katalogut. Unë i falënderoj, sepse ata meritojnë një mirënjohje të madhe, sepse pa këto koleksione ne sot nuk mund të kishim mundësi t’i prezantonin publikut ata piktorë që nuk i njohin mirë, të gjysmën së parë të ‘900-s shqiptare.  Gjithashtu kemi disa vepra të mjeshtrit Ibrahim Kodra, që ka studiuar në Akademinë e Milanos, janë tepër interesante. Këto vijnë në ekspozitë për herë të parë në publik. Kemi një vepër të Avdulla Cangonjit në vitet ‘50 që është tepër interesante.  Kemi një vepër interesante të Foto Stamos, përveç partizanit që triumfon, është një portet ciganeje i ‘59-s, që ka qenë një vjelëse pambuku nga Uzbekistani.  Kemi Simon Rrotën, që është një nga artistët më të rëndësishëm të artit shqiptar dhe kemi një vepër pikërisht të 1939-s, figura e një malësori tepër interesant, që është pjesë e një koleksionin privat, por kemi gjithashtu vepra të tjera. Për shembull, disa akuarele interesante të Fadil Pëllumbit, një pjesë e të cilave janë ekspozuar dhe në Muzeun Kombëtar dhe na dhanë ne mundësinë sot që të ekspozohen. Këto për historinë e pikturës sonë janë vepra të vyera. 

Këtë vepër të Simon Rrotës  nuk e kam parë, për herë të parë ekspozohen të gjitha veprat e autorëve të kësaj ekspozite?
-Pra, jo vetëm vepra e Simon Rrotës, por janë edhe shumë vepra të tjera. Dhe ky është qëllimi që unë kam pasur, t’i nxjerrë nga këto trashëgimi materiale dhe t’i ekspozojmë dhe kjo të bëhet publike, siç ndodh në muzetë e Parisit apo të Nju Jorkut, ku koleksionistët e ekspozojnë në muzetë private apo publike vepra të artistëve të njohur që janë pronë e koleksionistëve. T’u japin hua kinotekave, muzeve për një kohë të caktuar që mund të jetë vendosur për ekspozimin e tyre.   

Kur do të çelet ekspozita?
-Kjo ekspozitë do të përurohet në 17 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri në ditën e fundit dhe datën e fundit të 2018-s. Pra deri në fund të dhjetorit.  Duke ju falënderuar edhe për intervistën, ju bëj me dije se kemi edhe një ekspozitë po aq të rëndësishme që i dedikohet 100 vjet artit shqiptar. Pra gjysma e dytë e ‘900-s, në vitet ‘90 ose 2000 dhe që për artin bashkëkohor në Muzeumin Maka në Kalabri, dhe ajo do të vijojë gjatë gjithë muajit tetor dhe në fillim të muajit nëntor dhe përfundon si aktivitet. Pra aty kemi një copëz të rëndësishme të artit shqiptar me 32 artistë, që do të ekspozohet në një muze publik dhe është një ekspozitë e rëndësishme. Pra janë ekspozita të ndryshme , por që janë në të njëjtën kohë të dyja të disponueshme. 

Ardhja e këtyre ekspozitave të nxjerra në dritë nga ju, natyrisht mundësohet në një periudhë të gjatë kërkimi. Kur e keni nisur këtë lloj kërkimi në gjurmët e traditës? 
-Padyshim që nuk është një punë e vogël, por kërkimi dhe hulumtimi fillon e nuk mbaron kurrë. Para meje kanë qenë shumë kërkues e studiues të tjerë si Ferid Hudhri, Zana Varvarica, Ylli Drishti, Gëzim Qendro dhe Moikom Zeqo. Sigurisht dhe puna ime në drejtimin e Galerisë Kombëtare më njohu nga afër me historinë e pikturës shqiptare, dhe më bëri ta shoh si një histori kërkimi duke u njohur me të gjitha brezat. Kjo njohje e traditës shqiptare nuk përfundon në një zonë të njohjes dhe nuk vlen ta mbajë individi brenda vetes, dhe unë mendoj çfarë mund të bëjë unë që të dalë në dritë arti shqiptar. Çfarë mund të bëjnë mediat, gazeta, çfarë mund të bëjnë studiuesit që të evidentohet ky art e këto vlera, që shkëlqejnë më shumë me kalimin e kohës. Si mund ta konkretizosh këtë dije, si mund ta konkretizosh këtë pjesë të njohjes, dhe del nga anonimati arti shqiptar. sa më shumë të kemi aftësi të kemi kontaktet në Europë dhe t’i përfaqësojmë në nivele muzeale, siç ndodhi ekspozita e Vangjush Mios në Venecia një vit më parë. Janë vlera reale por janë shumë pak, pra arti shqiptar ka nevojë që të njihet më thellë dhe më i zgjeruar nga publiku ndërkombëtar, dhe për t’u bërë kjo gjë, ne duhet t’i nxjerrim nga ekspozita, që të kemi mundësi t’i ekspojmë edhe ne vende të tjera. Do të ishte mirë që kjo ekspozitë (dhe kjo është dëshira ime)  të realizohet në vitin e ardhshëm, ose kur të vijë moment i duhur, që studentët shqiptarë në akademitë e Romës, Firences apo edhe qyteve të tjera, të jenë bashkë, pse jo, të bëhet një ekspozitë në zemrën e Toskanës, por edhe në zemrën e kryeqytetit italian, në Romë. Pra t’i rikthejmë këta artistë me veprat e periudhës së shkollës italiane, por edhe me ato që i kanë bërë gjatë kohës së izolimit të Shqipërisë në periudhën e diktaturës komuniste. 

Çfarë projekti tjetër keni në të ardhmen?
-Unë gjithmonë punoj me një agjendë të tillë që ajo që ndodh në 2019-n duhet ta mbyll para një viti apo para shumë muajve.  Për sa iu përket viteve në vazhdim, janë ekspozuar 100 artistë shqiptarë që nuk janë artistë të kategorisë 2 apo 3, por që janë ovsider, apo fasadë në muzeue galerish, që kanë ngelur në rrethina të shoqërisë, që devijuan për fatin e tyre të emigracionit, sepse shumë artistë ikën në Greqi, në Amerikë, ose ndryshuan profilin e punës, ose jeta i çoi në drejtime të tjera. Por këta artistë karrierën e tyre e kanë bërë me vepra shumë të mira, dhe pse jo shumë artistë që ne nuk i kemi dëgjuar shpesh kanë nxjerrë edhe kryevepra. Këto janë vepra të fshehura ose të ngelura në arkiva familjare ose në koleksione për të cilat ende nuk ka qenë mundësia apo inteligjenca e mjaftueshme për t’i nxjerrë në dritë dhe për t’u dhënë atë vlerë që ato përfaqësojnë.  Gjithashtu, kam një projekt mendoj se është interesante me shumë artistë shqiptarë duke filluar nga fillesat e pikturës shqiptare dhe jo vetëm, duhet të bëjnë shumë artistë, është një ekspozitë që titullohet, e marrë nga Rilindja shqiptare: “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.  

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë