Babai i tij ishte piktor, por ëndrrat për të birin shkonin përtej telajos. Ai e imagjinonte Arbnorin fizikant, të përkushtuar ndaj ligjeve të natyrës, me fokus në fushën e kimisë. Ndërsa nëna e shihte të ardhmen e tij në një bluzë të bardhë, në mjekësi. Arbnori u përpoq për disa vite duke ndjekur këshillat e prindërve, por nuk ia doli dot t’u shkonte në fund.
Sot, në moshën 41-vjeçare, Arbnor Morina është një piktor që ka ndërtuar jetën e tij mbi këtë lidhje të natyrshme me artin. Ajo nisi herët, në moshën katërvjeçare, si një intuitë, si një mënyrë e qartë për të komunikuar me botën para se fjala të merrte formë. Gjatë viteve ’90, kur familja jetonte në Suedi, larg gjuhës dhe zakoneve të njohura, arti u bë ura e vetme për të kaluar drejt të tjerëve. Kur u kthyen në Prizren, mungesa e gjuhës shqipe e ndau përkohësisht nga bashkëmoshatarët. Por ishte sërish arti ai që i hapi derën.Vizatimet e tij kanë qenë mënyrë për të ndarë ndjenja nëpër fletore, me portrete, me emocione të sinqerta dhe dashuritë që qarkullonin në klasë.
“Arti më ka shpëtuar fëmijërinë,” thotë ai.
“Kam ditur ta përdor talentin për të komunikuar dhe për t’u afruar me të tjerët. Me vizatimet e mia kam dekoruar fletoret e shokëve dhe shoqeve të klasës me portretet e simpative të tyre një mënyrë për të shprehur dashurinë dhe emocionet në klasë.” thotë Arbnori.
Që kur u kthye nga Suedia në vitin 1995, Arbnori e përdori artin si një mënyrë të natyrshme për të hyrë në realitetin e ri për të mësuar gjuhën, për të ndërtuar identitetin. Skicat e asaj kohe i ruan ende me përkujdesje. Ndryshe nga pikturat që shiten e qarkullojnë, ato mbeten kujtime të pandara.
Ai është rritur në një familje ku arti ishte i pranishëm. Babai piktor, xhaxhai grafisit, Arbnori u rrethua që herët me imazhe të trupit njerëzor, me figura historike, me përkushtim estetik. Kjo atmosferë ndikoi në formësimin e tij si artist. Më vonë, vijoi studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në degën e pikturës. Ekspozita e tij e parë personale u hap që në klasën e tetë në ambientet e shkollës. Që atëherë ka realizuar rreth gjashtë ekspozita personale dhe një numër të madh ekspozitash kolektive. Nuk i mban mend të gjitha, por ka fiksuar ndjesinë që sjell çdo ballafaqim me kolegët.
Në studion e tij në Prizren, ku mbizotërojnë telajot e papërfunduara dhe aromat e ngjyrës, ai punon mbi një pamje të qytetit.
“Në 20 vitet e fundit, kjo është hera e dytë që po e pikturoj Urën e Gurit,” thotë ai.
Prizreni është për të më shumë se vendlindje është dashni, një motiv që rikthehet në mënyrë organike, me kalanë, lagjen nën të dhe Lumbardhin që e përshkon qytetin si një kujtim i gjallë. Një tjetër vepër që e veçon është “Kalaja e Vashave”. Edhe pse është kërkuar për ta blerë, Arbnori nuk e jep. Disa piktura nuk janë krijuar për t’u larguar nga studioja. Ai preferon të punojë në tablo të mëdha, dhe ndër to e veçon “Ura e Dashnisë”, një nga shtatë urat e Prizrenit, që dikur mbante një emër tjetër.
Nudizmi ka qenë pjesë e hershme e interesit të tij, një pasion i natyrshëm që lindi nga fëmijëria, kur shihte të atin duke pikturuar nudo. “Ekspresionizmi ka nisur me fëmijërinë time,” rrëfen ai.
Fillimisht përmes imitimit, më vonë si një formë personale e shprehjes.
Arbnori nuk punon me orar dhe as me rend kronologjik. Veprat e tij nuk ndjekin një linjë lineare.
“Shpesh, kur jam me një pikturë në dorë, e lë dhe filloj një tjetër, ose kthehem te një që kam nisur më parë.”
Kjo mënyrë e të krijuarit është reflektim i përditshmërisë së tij. I hapur, intuitiv, pa strukturë të ngurtë. Në rrëmujën krijuese brenda studios, Arbnori vijon të ndërtojë një univers që buron nga kujtimet, nga qyteti i tij, nga përvoja dhe nga një lidhje e pazëvendësueshme me artin.
Komente










