Ekspozohet kopja 262-vjeçare
e “Gjyslitanit” të Saadiut

Ekspozohet kopja 262-vjeçare<br />e “Gjyslitanit” të Saadiut
TIRANE- Dokumente të rralla, ku bien në sy shkrime të hershme shqipe me alfabetet përkatëse, si dhe gjurmë të tjera historike e kulturore të tarikatit bektashian në jetën shpirtërore e kombëtare shqiptare, janë ekspozuar dje në Bibliotekën Kombëtare.

Ekspozita “Bektashizmi në kulturën shqiptare” ka vijuar dje paradite me konferencën me të njëjtin titull, përmes së cilës është hedhur dritë mbi kontributet e panjohura në çështjet letrare, historike e dokumentare të trashëgimisë kulturore bektashiane. Në konferencë kanë marrë pjesë kreu i Kryegjyshatës Bektashiane të Shqipërisë, Baba Mondi, dhe akademikë e historianë të njohur.

Ekspozimi i veprave arkivore është konceptuar në rrjedhën e një harmonie komplekse të besimit fetar të bektashizmit me veprat e përzgjedhura, që nisin me frymëzimet e shkrimtarëve më të njohur sufi botërorë, librat e dorëshkrimet që janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, si “Lulet e verës” e “Qerbelaja” e Naimit, platforma ideologjike e Samiut, misteret e kaligrafisë te ornamentet dhe arkitektura e vendeve të kultit, studimi për malin spiritual të Tomorit, si “Le père Tomori, ou, L'Albanie selon” i Jean Brécot (Paris 1957), deri tek kuvendet e etërit shpirtërorë për shkronjat shqipe dhe lufta për Pavarësi.

Një nga veprat më të ralla në ekspozitën “Bektashizmi në kulturën shqiptare” është “Gjyslistani” i Saadi Shirazit, kopje e rrallë e vitit 1753 të erës sonë me 338 fletë, për të cilën shënohet se kjo kopje “është shkruar me dorë nga Hajdari i nipi i Ramazanit”. Ky dokument është regjistruar me emrin “Gulistan. Mutercimi Sudi. Shkodër 1967 H”. Libri përmban poezi me një kaligrafi të përsosur në persisht me shpjegime në turqisht. Interesant është fakti se libri mban vulat e Mustafa pashë Bushatit, sundimtar i Shkodrës.

Libri që daton moshën 262-vjeçare ka një kaligrafi të përsosur. Saadiu, emri i plotë i të cilit është Mucharrif-Uddine Ben Muslih-Uddine, është një nga poetët më të mëdhenj didaktikë të Iranit, shkrimtar persian me popullaritet të jashtëzakonshëm edhe pas shtatë shekujsh nga ekzistenca e tij. Fama e Saadiut shkëlqen ende në botë. Edhe në Shqipëri, Saadiu falë përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja njihet për vargjet e veprave të tij Gjylistani e Bostani.

Bektashizmi si trashëgimi kulturore e historike
 
Bektashizmi shqiptar dhe ai ballkanik ka tërhequr studiues e balkano-albanologë për ta njohur. Për një pjesë të këtyre studimeve është hedhur dritë dje në konferencën shkencore “Bektashizmi në kulturën shqiptare”, që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare. Drejtorja e Bibliotekës, Persida Asllani, përmedi faktin se institucioni po pasurohet me dokumente me rëndësi historike e vlera studimore. Në kumtesën me temë “Zyber Bakiu si hulumtues dhe përkthyes i veprës së Sami Frashërit”, historiani i njohur prof. dr. Ferit Duka është shprehur se bektashizmi shqiptar konsiderohet si trashëgimi kulturore dhe historike. Pasi përmendi kontributin e orientologut të çmuar në studimet shqiptare, Zyber Bakiut, kaligrafia e të cilit ende zbërthen në Fondet tona dorëshkrimet më të çmuara bektashiane në gjuhën perse, arabe dhe osmane, Duka ndër të tjera theksoi se kjo trashëgimi është ende e panjohur.

“Kjo konferencë dhe kjo ekspoitë na jep edhe një ngjarje kulturore, siç është Shqipëria dhe shqiptarët në enciklopedinë e Sami Frashërit “Kamus-ul alâm”, tha Duka. Duka theksoi se kjo enciklopedi ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës me materialin që ka me nivelin e dijes për të tërhequr vëmendjen drejt Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të dhe që u bë shprehëse autentike, duke treguar për vendin që zënë Shqipëria dhe shqiptarët. Me rëndësi, sipas Dukës, është edhe këndvështrimi në këtë enciklopedi. Duka tha se “Sami Frashëri botën shqiptare në tërësi e ka paraqitur në një numër të pafundëm zërash dhe kjo nuk ishte e rastit. Bëhej në mënyrë që të ofronte një njohje sa më të mirë për të gjitha çështjet që lidheshin me botën shqiptare dhe mënyra sesi janë trajtuar zërat, rrëfen këndvwshtrimet e rilindësve tanë për atë çfarë aspironte bota shqiptare”.

Më tej Ferid Duka tha se në rrafshin historik zbulohen informacione të marrëdhënies së shqiptarëve me Perandorinë Osmane, për origjinën e shqiptarëve, lidhjet e shqiptarëve dhe vendin që zinin shqiptarët e më gjerë. Sipas Dukës studiuesi i Orientalistikës, Zyber Bakiu, që ka hedhur dritë mbi këto studime  “bën pjesë në plejadën e ndritur të orientalistëve shqiptarë si Haki Sharofi, Jonuz Tafilaj, përkthyesi i famshëm beratas Vexhi Buharaja, etj”.

Dje ka mbajtur një kumtesë edhe Genciana Abazi që ka folur për “Disa konsiderata mbi veprën Hadikaja të Dalip Frashërit” dhe studiuesi Shaban Sinani, qw referoi kumtesën “Letërsia bektashiane në Arkivat shqiptare”. Ndërsa Ermal Nurja prezantoi gjendjen e dokumentave bektashiane në AQSH. “Në fondin 453 ndodhen dokumentat që kanë mbërritur në Arkivin e Shtetit nga komuniteti bektashian, ku numri total i dosjeve është 605, me 10 mijë e 462 fletë”, tha Nurja, duke theksuar se AQSH përveç dokumenteve osmane që përmbante, do të pasurohet më tej me të tjera dokumente që pritet të vijnë nga bashkëpunimi me arkivat osmane.  
Gjyslitani

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji