Ekspozohet për herë të parë në Muzeun Kombëtar pasaporta e Shën Terezës

Ekspozohet për herë të parë në Muzeun Kombëtar pasaporta e Shën Terezës

Nënë Tereza

Ishte viti 1927 kur Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, e prej dy vitesh Shën Tereza, lutej që të kthehej në Tiranë. E pritur krahëhapur në mbarë botën, paradoksalisht pengohej të vizitonte familjarët e saj në Shqipërinë komuniste.

Pasaporta, me të cilën Shën Tereza kërkonte leje të vizitonte kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën; një dokument i papublikuar më parë, është ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” u çel me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut - Shën Tereza, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup. Pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Kur Gonxhe Bojaxhiu mëson se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkruan një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, që të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë. Letra prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.

“Muzeu Historik Kombëtar, si institucion i kujtesës kombëtare dhe përçues vlerave të trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë ka organizuar veprimtari të shumta për nder të Shën Terezës, duke vënë në dukje vlerat humane dhe mesazhet që ajo i ka dhënë njerëzimit. Ekspozitat që kemi organizuar çdo vit në muajin shtator janë pritur me interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Por edhe këndi i Shën Terezës në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, me objekte dhe sende personale të shenjtores me origjinë shqiptare paraqet një interes të veçantë”, tha drejtori Koçi në hapjen e ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve”.

Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” flet edhe për familjet katolike në Shkup, të cilat përmbajnë fotografi, fakte e dokumenta. Gjithashtu, janë ekspozuar edhe objektet e Shën Terezës, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar, si Krishti i kryqëzuar, ruzaria e Nënë Terezës, një peshqir, një mësallë, pjata, gota e ujit, luga, piruni dhe thika që ka përdorur Nënë Tereza gjatë qëndrimit në shtëpinë e Z.Tonin Shpati,etj.
Në këtë ekspozitë një kënd i veçantë iu dedikua punimeve mbi figurën e Shën Terezës të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të cilët kanë marr pjesë në projektin e Muzeut Historik Kombëtar “Vizatoj historinë”.

Skënder Asani: Nënë Tereza u bë nënë historike e gjithë botës

Dje me këtë rast është organizuar edhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko.

Në promovimin e librit drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Është kënaqësi e veçantë për ne, që në prag të përurimit të ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe të promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko.

“Autorët e librit, duke përdorur fakte dhe burime të vërteta historike, synojnë të pasqyrojnë historinë e familjeve katolike shqiptare të Shkupit, të cilat gjithnjë e më tepër po mbulohen nga pluhuri i harresës. Historia e familjeve të shquara qytetare të Shkupit anjëherë nuk mund të tjetërsohet, asnjëherë nuk mund të asimilohet, sepse me kalimin e viteve do të lindin pinjollë të tjerë të shquar, të cilët do ta ngrenë edhe më lart emrin e fisit. Pikërisht ky është edhe misioni historik që ka ndërmarrë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Të kultivojë traditat e bukura të trashëgimisë sonë kulturore jo vetëm tek shqiptarët që jetojnë në Shkup, por edhe më gjerë.”, -tha drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi

Promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” dhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve” e përshëndeti edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup, Dr. Skënder Asani, i cila tha se: “Ju falënderoj për prezencën tuaj. Shenjtorja Shën Tereza është personaliteti që i ka kaluar të gjitha kufinjtë e vetmohimit duke i shërbyer të tjerëve. Ajo mund të quhet “Nëna e dashurisë”. E filluam këtë aktivitet në New York, pastaj në Prishtinë dhe stacioni i fundit i misionit tonë është Muzeu Historik Kombëtar, që përkon me 2-vjetorin e shenjtërimit të Saj. Si autor i librit deklaroj se me botimin kemi bërë shumë pak, Nënë Tereza nuk mund të bëhej nënë biologjike, por u bë nënë historike e gjithë botës. Ne sot mundemi që të jemi bijtë e saj.”

Festa kishtare liturgjike që u festua edhe në Shqipëri ka përkuar me atë mbrëmje të paharrueshme 5 shtatorit 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë Nënë Tereza. Jeta e Shёn Nënë Terezës është zhvilluar tërësisht në shenjë të dashurisë së Krishtit, me fjalë tjera të bamirësisë.

Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve”

Mesazhet e Shën Terezës në letrat drejtuar familjarëve në Tiranë

Në Ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve”, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës një vend të veçantë zënë letrat e shkruara me dorën e Shenjtores. Ja disa nga tekste e tyre:

“E kam shtëpinë time të re” i shkruan nënës më 1950 duke iu referuar katerdarles së Shkupit, “dhe është shtëpia e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të varfrit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t’u aviten nga frika e ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, ngaqë janë të mbuluar me mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, pasi nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e dinë se po vdesin, dhe përbri të cilëve të gjallët ecin pa u kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë më, se nuk kanë më lot”.

“Pa vuajtje puna jonë do të ishte një veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shëlbojmë jo vetëm varfërinë materiale, por edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim parasysh, sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfrit mund t’i shëlbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj Zotit…”.

“Dashuria është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk duhen nga asnjeri…”.

“Krishti nuk do të na pyesë çfarë kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë veprimet tona…”

“Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por nuk ka duar të mira që t’u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme e të mos ndjerit të dashur nga dikush…”

“Sot më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrshme, stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha e gjëra të tjera. Fëmijët kanë pak kohë t’u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t’i kushtojnë njëri-tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të jetuar…”

“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftëra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftërat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mbanë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqeje, vëllazërimi”.

“Herët e para kur më jepnin çmime, mbeta shumë e habitur. Nuk dija t’i pranoja apo jo. Por mbërrita në përfundimin se duhet t’i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të të varfërve, si nderim ndaj të varfërve”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja