Ekstremisti fetar ngujoi për 6 vite gruan dhe fëmijët, Ish myftiu i Tiranës: Si ndodh kjo në mes të kryeqytetit? Institucionet të mos qëndrojnë në gjumë

Tiranë - Ngujimi në shtëpi prej 6 vitesh i gruas dhe 2 fëmijëve nga radikali fetar Xherxh Laci ka tronditur opinionin publik. Jo vetëm kaq, por në banesë gjatë arrestimit iu gjet arsenal armësh. Ish myftiu i Tiranës, Ylli Gurra foli në “Sot, live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu duke ngritur shqetësimin se banorët e zonës bënë sy qorr e vesh shurdh duke nuk reaguan në asnjë moment.

“Rasti i tij është më shumë se dhimbje por ajo që na sjell pikëpyetje shtesë është situata e gjetjes së një pjese municionesh dhe armësh të ftohta në banesën së tij. Pastaj justifikimi nga motra që ka qenë besimtar apo frekuentonte xhamitë e zonës i japin fenomenit një tjetër kah që në fazat e parandalimit, institucionet përfshirë edhe ato fetare çedojnë shumë.

Si ka mundësi që ndodh në mes të kryeqytetit? Moskokëçarja, mosinteresimi dhe e keqja te të tjerët të jetojë sa malet, e rëndësishme të mos përplaset në dyert tanë, kjo nuk është besim. Nuk mund të jesh besimtar sa kohë një fqinj i yti e kalon natën në uri”, tha Gurra.

Ndër të tjera, Gurra u shpreh se komuniteti i besimtarëve duhet të jetë pjesë e zinxhirit komunikues për të paralajmëruar fenomene të këtij lloji duke mos përjashtuar mundësinë që të ketë të tjerë që veprojnë si Xherxh Laçi.

“Duhet që ky komunitet besimtarësh të jetë më aktiv, të jetë më afër. Kur nuk ndërhyhet nga institucionet shtetërore, bëhet i frikshëm. Institucionet fetare nuk kanë detyrën të zëvendësojnë atë të sigurisë por duhet të jenë pjesë aktive e zinxhirit komunikues, orientues, paralajmërues duke nisur nga kryeplaku i lagjes që të orientojmë në kohë për t’u parandaluar fenomene të këtij lloji. Këto janë këmbanë që institucionet të mos jenë në gjumë”, tha Gurra.

Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij, si dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar dhe të mos nisin rrugën e drogës.

Krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tashmë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën Penale të Tiranës për t'u njohur me masën e sigurisë.  Familjarët bëjnë deklarata kontradiktore për shëndetin mendor të Laçit. I ati thotë se i biri ka probleme dhe duhet çuar në spital, ndërsa e motra thotë se ka vetëm probleme ekonomike. Megjithatë të dy shprehen se Laçi nuk ka ngujuar as dhunuar gruan me fëmijët.

Fillimisht kanë qenë komshinjtë që lajmëruan policinë pasi dyshuan se Xherxh Laçi mund të kishte dhunuar familjarët. Pasi ka mbërritur policia, Laçi është shprehur se jetojnë në kushte të veshtira ekonomike, ku gruaja e tij nuk punon, ndërkohë fëmijët nuk i dërgonte në shkollë për shkak të besimit radikal dhe frikës se mos infektoheshin apo merrnin rrugë te keqe. Me pas policia është rikthyer dhe e ka arrestuar.

Ai kishte ngujuar bashkëshorten e tij për 6 vite me radhë në zonën e '5 Majit’ në Tiranë. Prej 1 viti, 50-vjeçari kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lënë të vazhdonin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare. Vetë Laçi dilte nga shtëpia vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për t'u falur, ndërsa në momentin e arrestimit i janë gjetur edhe libra fetarë.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion