Kur ka kaluar një javë nga vrasja e 50-vjeçarit Edmond Sula në Bërxullë, autori i dyshuar që e qëlloi me tek plumb në kokë, akoma mbetet mister. Mënyra e atentatit e bënë të vështirë gjurmimin e tij, të paktën deri në këtë fazë të hetimit. Pavarësisht këqyrjes së kamerave të sigurisë në një rreze të gjerë në zonë, asgjë nuk shërbeu për lokalizimin e tij.
E shkuara problematike dhe shumë konfliktuale e 50-vjeçarit Sula e ka komplikuar edhe më tej hetimin për zbardhjen e ngjarjes, duke shpërndarë në pista të shumta që kërkojnë verifikim të detajuar. Megjithatë, deri më tani, hetimet për pistat e konflikteve me shumë njerëz, rezultuan pa ndonjë të re. Ditët e fundit disa elementë të rinj, të mësuara nga burime të brendshme i kanë dhënë policisë një pistë të re.
Antikrimi në Policinë e Tiranës mësoi Edmond Sula ishte bashkëaksioner në një kompani të licencuar për kanabisin mjekësor në Maqedoninë e Veriut, vend ku kjo mënyrë biznesi është e ligjshme. Dyshimet janë për ndonjë konflikt të mundshëm në këtë biznes, edhe pse deri tani nuk ka ndonjë provë bindëse. Autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen homologëve maqedonas zyrtarisht për informacione më të detajuara të aktivitetit të Sulës në këtë vend. Në varësi të përgjigjes, hetimi mund të marrë rrjedh konkrete në këtë pistë, ose jo.
Edmond alias Ali Sula po hetohet për konflikte të mundshme në komunitetin ku jeton, dyshimet mbi dhënien e parave me fajde në zona të ndryshme të Fushë Krujës dhe Vorës, si dhe konflikte me biznesin e shitblerjes së pronave që kishte në pronësi të tij.
50-vjeçari sapo kishte parkuar makinën pak pas mesnate në Bërxullë dhe po shkonte në shtëpi, kur nga pas u qëllua me një plumb.
Autori, nga mënyra se si ka vepruar, ka pasur informacion të detajuar të lëvizjeve të tij, duke e pritur nëpër shkurre aty pranë. Në zonë nuk u dëgjuan të shtëna, ndërsa dyshimet janë për përdorim snajperi në atentat, si dhe vrasës me pagesë. Një kamera sigurie e tregon duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë pritur nga ndonjë makinë për t’u larguar pa lënë asnjë gjurmë.
Komente









