Policia ka vënë në pranga sot në Fier një 38-vjeçar të shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur në fund të vitit 2023.
Specialistët e Krimeve të Rënda ndaluan Agim Gashin, i dyshuar si autor i vrasjes së Elton Javorit më 7 dhjetor 2023, në lagjen “16 Prilli”. Ndaj tij, Gjykata e Fierit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”.
Hetimet tregojnë se thuajse 3 vjet më parë 38-vjeçari, në bashkëpunim me vëllain e tij Kreshnik Gashi (aktualisht në paraburgim), pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri drejt automjetit që drejtohej nga 41-vjeçari Elton Javori.
Viktima u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Porsche Cayenne, vetëm pak metra larg banesës së tij. Edhe pse tentoi të kundërpërgjigjej me armë, një prej plumbave e kapi në kokë, duke i marrë jetën në vend.
Hetimet kanë nxjerrë se konflikti mes palëve kishte nisur më herët dhe kishte mbetur i pazgjidhur, derisa përfundoi në mënyrë tragjike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Ekzekutohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda urdhri i ndalimit për një 38-vjeçar, i akuzuar për vrasje. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë Fier për ndalimin e shtetasit A. G., 38 vjeç, banues në Fier. Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 38-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin K. G. (aktualisht në paraburgim në ambientet e IEVP Fier), më datë 07.12.2023, në lagjen “16 Prilli”, Fier, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti që drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç. Si pasojë e të shtënave, 41-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











