TIRANE - Është lënë i lirë pasditen e sotme Ardian Ndreka por vazhdon të procedohet në gjendje të lirë nga policia. 34-vjeçari nga Mamurrasi ishte personi që u shoqërua mbrëmë në polici tre orë pas ekzekutimit të dy vëllezërve Iglend Haxhialiu dhe Sokol Haxhialiu.

Policia bën të ditur se pasi ka marrë dëshminë e Ardian Ndrekës është vendosur që të lihet në procedim në gjendje të lirë, ndërsa është në kërkim Eduard Kurti, i cili dyshohet si personi që ka qëlluar me pistoletë me silenciator ndaj dy vëllezërve Iglend dhe Sokol Haxhialiu, me origjinë nga Berati.

Ardian Ndreka është shoqëruar si person në dijeni të ngjarjes dhe madje burime të policisë theksojnë se 34-vjeçari ka deklaruar në polici se autor i kësaj vrasje është shtetasi Eduard Kurti.

Sipas korrespondentit tonë, Eduard Kurti ka qenë brenda automjetit tip "Mazda" me targa TR9205S, ku ishin dhe dy vëllezërit Haxhialiu. Ai ka qenë i ulur në sediljen e parë të pasagjerit dhe ka qëlluar fillimisht Iglendin 44 vjeç, i cili ka qenë në sediljen e pasme të automjetit dhe më pas ka qëlluar Sokolin, i cili drejtonte automjetin.

Sokol Haxhialiu është qëlluar në kokë dhe në qafë dhe ka humbur jetën rreth orës 23:10 në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa Iglendi është qëlluar vetëm në kokë, çka i ka shkaktuar atij dhe vdekjen e menjëhershme.

EKZEKUTIMI ME PISTOLETE ME SILENCIATOR
Vrasja ndodhi rreth orës 20:00 pranë kryqëzimit të Tiranës së Re ku lidhet me zonën e Selitës ose te stacioni i fundit i Tiranës së Re. Mendohet se viktimat dhe autorët e krimit udhëtonin në të njëjtën makinë, tip “Mazda” me targa TR9205S, ku dhe ndodhi vrasja. Makina drejtohej nga Sokol Haxhialiu 42 vjeç, njëri prej viktimave. Ndërkohë që në makinë ishin dhe Iglend Haxhialiu, 40 vjeç, po i vdekur, si dhe Eduard Kurti që dyshohet si autori i vrasjes. 

Konflikti mes vëllezërve Haxhialiu dhe autorit të vrasjes mësohet se ka lindur për një borxh të vjetër që kap shifrën 36 mijë euro. Dy vëllezërit Haxhialiu i kishin marrë borxh Eduard Kurtit një shumë prej 200 mijë eurosh për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi, por nuk kanë arritur të kthejnë në kohë shumën prej 36 mijë eurosh, gjë që ka çuar në konflikt mes tyre, konflikt që u mbyll me ekzekutimin e dy vëllezërve mbrëmjen e së dielës pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re.


*Foto ambulanca duke transportuar të plagosurin Sokol Haxhialiu drejt Spitalit Ushtarak (Sjellë në redaksinë e Shqiptarja.com nga një qytetar përmes rubrikës RAPORTONI JU)

(Lajmi u publikua fillimisht në orën 20:00, të datës 1 dhjetor dhe u përditësua në vazhdimësi. Përditësimi I fundit ora 18:45 e datës 2 dhjetor.)

Redaksia online
(Gre.M/eç/sg/shqiptarja.com)