Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull vrasësit me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj, shtetasit portugez Ruben Saraiva, i cili u dënua me burgim të përjetshëm pak ditë më parë nga Gjykata e Lezhës.

Në artikullin e medias britanike shkruhet se Ruben Saraiva është rritur në rrethinat e qeta të Londrës. Po ashtu sipas Daily Mail, Saraiva ka qenë një djalë i qetë kur ka qenë i vogël.

Sipas gazetës britanike, një burim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë ka deklaruar për ta se Saraiva kërkon mbrojtje të rreptë, sepse ka marrë informacione se ata që financuan vrasjen e Nikulajt tani kanë vënë një shpërblim prej 500,000 euro për kokën e tij, për të eliminuar rrezikun që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Kujtojmë se nga hetimet rezultoi se vrasja ishte porositur nga Edmond Haxhia, i cili kishte siguruar edhe bashkëpunimin e disa shtetasve britanikë, konkretisht Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, të arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar si të dyshuar për përfshirje në krim.

Pjesë nga artikulli i Daily Mail:

Saraiva është djali i dy prindërve portugezë, të dy njerëz të sjellshëm dhe punëtorë, thonë se janë të habitur nga ajo që i ndodhi djalit të tyre.

“Ne jemi njerëz të mirë, ne nuk jemi kriminelë. Edhe Rubeni është i tillë. Ai është një djalë fantastik. Ne jemi të shtangur”, kanë deklaruar disa burime familjare.

Saraiva u zhvendos nga Portugalia në Mbretërinë e Bashkuar me të atin kur ishte katër vjeç.

Kur nëna e tij erdhi në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më vonë, ai jetonte midis babait të tij, i cili rrinte në periferi të Reading, Berkshire, dhe nënës së tij që u vendos në Lewisham, në juglindje të Londrës.

Fotot e siguruara shfaqin Saraivën në rininë e tij të veshur me kostum dhe kravatë. “Ai është një djalë shumë i qetë dhe miqësor”, deklaruan disa të afërm. Kur Saraiva ishte fëmijë, ai madje nuk dilte as në rrugë pa lejen e nënës së tij.

Në moshën 17 vjeç, ai dhe një bashkëpunëtor i tij u kapën duke shitur kokainë dhe heroinë me një vlerë rruge prej më shumë se 600 paundësh në Wokingham. Saraiva mori një dënim me kusht në Gjykatën e Reading në vitin 2013 dhe më pas u kthye për të jetuar me nënën e tij.

Pas dënimit ai ndoqi kurse ndërtimi dhe elektricisti, si dhe filloi një praktikë pune, por ai u rikthye shumë shpejt në telashe pasi goditi me thikë një 17-vjeçar gjatë një sherri.

Familja e tij deklaroi se Saraiva bëri burg disa vite, pasi u dënua për plagosje me dashje dhe ata besojnë se gjatë kohës që ishte pas hekurave ai pati kontaktin e parë me botën e krimit shqiptar.

“Ne nuk dinim që ai kishte miq shqiptarë. Miqtë e tij ishin anglezë”, u shprehën burime të afërta me familjen e Saraivës.

Saraiva fluturoi nga Londra për në Tiranë, ku mbërriti në Ditën e Shën Valentinit 2023, dy muaj para vrasjes.

I pyetur nga gazeta “Mail”, Saraiva nuk dha detaje rreth rrugës së tij, duke thënë vetëm: “Si arrita këtu, apo çfarë jo, nuk mbaj mend.”

Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u prit në aeroportin e Tiranës nga Edmond Haxhia, i dyshuari si truri i komplotit për të vrarë Nikulajn.

Ai është kushëriri i parë i familjes Lekstakaj, e cila është e përfshirë në një histori gjakmarrje të gjatë me familjen Nikulaj, thanë prokurorët në gjykatë.

Haxhia, i cili është me origjinë nga Shqipëria, por ishte zhvendosur në Birmingham, ishte kthyer vetë në Shqipëri në nëntor 2022 për t'u fejuar.