Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e GJKKO, miraton masën “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i cili u arrestua anë muajin shtator të këtij viti me urdhër të SPAK për vrasjen e Klevis Lleshit në vitin 2020.

SPAK zbardhi vrasjen e 22-vjeçarit në shtator duke çuar në arrestimin e 3 personave dhe shpalljen në kërkim të porositësit. Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi, vrasësi i cili është paguar nga porositësi Aurel Hoxha 50 mijë euro për eliminimin e 22-vjeçarit, Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, i cili u arrestua në Itali dhe ka pasur rolin e ndërmjetësit dhe ndihmësit në vrasje. Sabah Nuzi, i akuzuar nga SPAK si vrasës me pagesë, ashtu si familja Lleshi, është nga Burreli, dhe mendohet që me Klevisin, të cilin e vrau e më tej e groposi, të ketë pasur edhe njohje e miqësi.

31-vjeçari Sabah Nuzi sipas njoftimeve të vjetra të policisë, rezulton me precedent penalë. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë krejt i ri vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.

Aurel Hoxha, i njohur ndryshe me emrin Aurelinjo Kalaveri, urdhëroi vrasjen e 2-vjeçarit për tu hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012, nga Arben Lleshi, kushëriri i 22-vjeçarit.

Dy fiset janë përfshirë në një sagë hakmarrjesh, të nisur në vitin 2012, kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.

Më pas, në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit. Pas vrasjes, trupin e tij e zhdukën në fshatit Shpërdhet të Kurbinit, ndërsa eshtrat u gjetën pas rreth 2 vite e gjysmë nga banorë të zonës. Arben Lleshi po vuante dënimin me burg përjetë në burgun e Peqinit, kur në vitin 2023 u vra nga Sokol Mjacaj. Ai u qëlloi me armë brenda në qeli, dhe dyshohet se vrasja ka qenë vazhdë e kësaj hakmarrjeje.