Varrimi i udhëheqësit të kartelit Jalisco New Generation Cartel, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u zhvillua të hënën në masa të forta sigurie.
Sipas një zyrtari federal, ceremonia mortore u mbajt në një varrezë në Zapopan, periferi e qytetit Guadalajara, por autoritetet refuzuan të konfirmojnë zyrtarisht vendndodhjen, duke përmendur arsye sigurie. Zona ishte e rrethuar nga prani e shtuar ushtarake, ndërsa arkivoli i artë i Oseguera Cervantes ishte i rrethuar nga kurora të mëdha me lule.
Dhjetëra persona morën pjesë në procesion, shumë prej tyre me çadra të zeza pavarësisht motit me diell. Një grup muzikor luajti muzikë tradicionale “banda”, ndërsa disa nga kurorat mbanin simbolin e një gjeli, një referencë ndaj nofkës së tij “Zoti i Gjelave”.
“El Mencho” u vra pak më shumë se një javë më parë gjatë një operacioni të ushtrisë meksikane për kapjen e tij. Sipas certifikatës së vdekjes, të cituar nga Associated Press, ai humbi jetën nga plagë të shumta me armë zjarri në gjoks, bark dhe këmbë. Ministri i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, deklaroi se ai dhe dy truprojat e tij u plagosën rëndë në një shkëmbim zjarri pranë një rezidence në Tapalpa dhe vdiqën gjatë transportimit për në spital.
Trupi u dërgua në Mexico City për autopsi dhe më pas iu dorëzua familjes. Autoritetet theksuan se varrimi ishte planifikuar, sipas praktikave të zakonshme në rastet e vdekjeve të dhunshme, për të lejuar mbledhjen e provave të mëtejshme mjeko-ligjore nëse do të jetë e nevojshme.
Vdekja e liderit të kartelit ka shkaktuar një valë dhune në rreth 20 shtete të Meksikës. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 70 persona kanë humbur jetën në operacionin ushtarak dhe në aktet hakmarrëse që pasuan. Qeveria ka bërë të ditur se operacionet e sigurisë vazhdojnë, me synim goditjen e figurave të tjera të larta të kartelit.
Në Meksikë, varrimet e bosëve të drogës shpesh mbulohen nga misteri dhe simbolika, duke ushqyer një imazh mitik mes mbështetësve të tyre. Brenda pak orësh nga vdekja e tij, këngë të tipit “narko-corridos” u kompozuan për të përkujtuar figurën e tij.
Varrimi i “El Mencho”-s, i shoqëruar nga masa të rrepta sigurie dhe heshtje institucionale mbi detajet, i shtohet një tradite të gjatë dhe të errët në historinë e karteleve meksikane.
Komente









