ELBASAN - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 72-vjeçaren, e cila vrau me armë zjarri 2 ditë më parë bashkëshortin e saj Faik Poka.

Prokurori i çështjes pasi ka lexuar dosjen e hetimit rreth 72 vjeçares ka kërkuar masën “arrest me burg” për veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese dhe me dashje si edhe armëmbajtje pa leje”.

Poka ka pranuar krimin, ndërsa u shpreh: “Nuk kam asgjë për të thënë, nuk jam gjendje të flas, më vrisni sa jam këtu”. Ajo ka deklaruar se krimin e ka kryer në kushtet e xhelozisë dhe burrin e ka qëlluar me armë gjahu të cilën e mbanin në shtëpi pa leje.

Ndërkaq avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të lehtë dënimi për të pandehurën, duke u nisur nga mosha e saj e vjetër.

Trupi gjykues, pasi ka dëgjuar palën mbrojtëse dhe vetë të pandehurën, në fund të seancës ka vlerësuar masën e prokurorisë duke dhënë vendimin “ arrest me burg”, për Fatmira Pokën.

Ndërkaq e shoqëruar nga uniformat blu 72-vjeçarja është dërguar në ambientet e paraburgimit për gra, deri në përfundim të hetimeve.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)