ELBASAN - I deleguari i PS-së në qarkun e Elbasanit zhvilloi mesditën e sotme një takim për mediat për të prezantuar pikat kryesore të programit të Rilindjes. Tre ishin pikat ku u mbështet më shumë Ben Blushi në koferencën për shtyp: ulja e papunësisë; ulja e korrupsionit; ulja e nivelit të ndotjes në qyteten e Elbasanit.
“Qyteti i Elbasanit vazhdon të renditet në listën e qyteteve më të ndotur jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, në Ballkan”,- theksoi Blushi.

Pikë tjetër e diskutimit ishte edhe terrori që po ushtrohet mbi bizneset, ku vetëm në 3 javë, sipas Blushit, janë vendosur 20 mijë euro gjoba.

“Një grup terrorist i ardhur nga Tirana, taksambledhës e tatimorë kanë gjobitur në përmasa të paimagjinuara, biznesin e Elbasanit”, - tha ai. - "Qyteti i Elbasanit është një qytet i papunë dhe e vetmja mënyrë për të rritur punisimin në qytet është përkrahja e biznesit, i cili mund të thuhet që është motori i punësimit dhe motori i ekonomisë.  Unë i premtoj biznesit të Elbasanit se të gjitha gjobat, të cilat janë vendosur mbas marsit të vitit 2013, do të falen, sepse këto gjoba nuk janë profesionale, por janë gjoba thellësisht politike”.

Në fund të fjalës së tij, Blushi përmendi edhe debatin më të fundit që ka rilindur në politikën Shqiptare për votimin e tre ligjeve në Parlament. “23 qershori do të jetë ajo ditë që Shqiptarët do të vendosin me votë se kush ka pasur të drejtë, ne a apo Sali Berisha? E kemi ngadalësuar ne procesin e integrimit apo e ka ngadalësuar qeveria? Pra, 23 qershori me votë popullore do të ndajë se kush ka pasur të drejtë për ketë konflikt, i cili për mendimin tim është i ekzagjeruar”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)