ELBASAN - Sapo të munden të sigurojnë paratë për një biletë udhëtimi, do të jenë të parët që do nisen drejt Gjermanisë. Kështu janë shprehur banorët e mbetur në këtë lagje të komunitetit rom në Elbasan. Ndërsa dhjetëra familje rome janë larguar drejt vendit të shpresës, Gjermanisë, duke lënë peng shtëpitë që të marrin një biletë. 

Jetesa e vështirë i kalon kufinjtë e imagjinatës, ku shumë prindër kanë braktisur fëmijët për të marrë rrugën e largët. Një e moshuar jeton në kasolle me dërrasa ku kujdeset për 2 nipërit dhe mbesën, të braktisur nga prindërit e tyre, tashmë të larguar në Gjermani.

Shumica e këtyre familjeve jetonin me shitjen e veshjeve të përdorura që merreshin kryesisht nga Greqia, por edhe kjo tregti ka falimentuar duke lënë në vështirësi ekonomike qindra familje. 

Gjermania duket për ta e vetmja mundësi mbijetese. Të rinjtë e mbetur në lagje të papunë vërtiten rrugëve pa asnjë adresë. Shumë prej tyre thonë se edhe në këmbë do të kalojnë në anën tjetër të kufirit, pasi këtu nuk kanë më asnjë shpresë se jeta e tyre do të përmirësohet.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)