Elbasan- Korrupsioni, përndjekja dhe pagesa me para false çojnë nën akuzë 3 persona, mes tyre edhe një laborant të Spitalit të Elbasanit.
Policia vendore bëri me dije sot (8 Janar) se zyra e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori për procedim penal në gjendje të lirë ndaj laborantit E. B., 57 vjeç, për veprën penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
I dyshuari është shfaqur në një video të transmetuar në emisionin investigativ "STOP" mbrëmjen e djeshme, duke marrë para nga një pacient, në mënyrë të parregullt.
Kurse Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike mori nën akuzë P. A., 47 vjeç, pasi e ka kallëzuar një 42-vjeçare se ai e përndiqte në rrjetet sociale dhe madje në rrugë, duke i krijuar shqetësime emocionale dhe pasiguri.
Në Cërrik nisi procedimi për 32-vjeçarin A. U., të cilin e ka denoncuar punonjësi i një karburanti me inicialet V. S., 59 vjeç, se pasi ka furnizuar automjetin me karburant, e ka kryer pagesën me një kartmonedhë të dyshuar false, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.