I kthyer tashmë në traditë, edhe këtë vit pak ditë para festës së Kurban Bajramit, në qendër të qytetit te Elbasanit është çelur panairi social, ku tregtarë të ndryshëm ekspozojnë mallrat e tyre të konsumit me çmim më të lirë. Panairi i organizuar nga Myftinia Elbasan dhe bashkia është çelur nga kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, kreu i KMSH- së, Skënder Brucaj si dhe Ilir Hoxholli, kryetar i Komitetit të Kulteve pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë panair, kreu i bashkisë, Sejdini, tha se "tashmë ky panair social është kthyer në traditë në qytetin e Elbasanit, ku firma të ndryshme që tregtojnë mallra me çmime të lirë të konsumit i vijnë në ndihmë më së shumti njerëzve me probleme ekonomike në qytetin e Elbasanit". Ai e cilësoi një hap mjaft të mirë këtë panair, i cili hapet në vitin e tij të dytë në qytetin e Elbasanit.

Edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj, e ka cilësuar si shmë të rëndësishëm këtë iniciativë, që sipas tij, duhet ta marrin si shembull edhe qytetet e tjera të vendit.

Ilir Hoxholli, kreu i Komitetit të Kulteve në Ministrinë e Mirëqenies, e vuri theksin tek harmonia fetare që ka qyteti i Elbasanit, duke e cilësuar një qytet model të harmonisë fetare dhe të traditave. "Një falenderim është edhe për kreun e bashkisë që si një iniciator bashkë me Myftininë programuan këtë aktivitet, i cili duhet marrë si shembull për t'u realizuar edhe në Tiranë", tha ai.

Është viti i dytë që në qendër të qytetit të Elbasanit hapet Panairi Social, i cili ofron mallra të ndryshme të konsumit me çmim më të lirë se në tregjet e qytetit, panair qe  mirëpritet nga mbarë komuniteti i Elbasanit dhe që qëndron i hapur për tre ditë.

ATSH