Sot u mbushën 105 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Elbasanit. Elbasani ishte i pari qytet në Shqipëri që shpalli Pavarësinë duke i përcjellë kështu mesazhin perandorisë turke dhe pushtuesve serbë se tashmë qyteti ishte bërë zot i vetes, se ishte i lirë dhe i pavarur.

Njëkohësisht ai i demonstroi perëndimit se ishin pjekur kushtet për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ngjarje e cila ndodhi tre ditë më vonë në Vlorë. Lidhur me këtë ngjarje Ismail Qemali i dedikoi një urim Aqif Pashë Elbasanit, patriotit dhe atdhetarit të famshëm i cili ka hyrë në histori si krahu i djathtë i plakut të Vlorës.

Me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Elbasanit përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë vendosur kurora me lule në varrin e patriotit Aqif Pashë Elbasani tek varrezat e qytetit. Kreu i bashkisë Qazim Sejdini, pasi ngriti simbolikisht flamurin për ditën e pavarësisë së Elbasanit, mbajti një fjalim në përkujtim të kësaj dite të shënuar për Elbasanin që çel festimet me rastin e 105-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo që ra në sy gjatë kësaj ceremonie ishte mungesa e përfaqësuesve të forcave politike të djathta dhe të LSI-së. Të kontaktuar disa prej tyre deklaruan se nuk kanë marrë ftesë nga bashkia Elbasan për ceremoninë e 25 Nëntorit. Ndërkohë konfirmohet se ftesë ka marrë Këshilli Bashkiak megjithëse mungonin shumica e këshilltarëve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com