ELBASAN - Tekstet universitare që përdoren në auditore nga pedagogët në Univesitetin e Elbasanit do të kalojnë në një filtër verifikimi. Pas anketimit të bërë me studentët e këtij universiteti, kanë dalë në pah problemet që hasin ata me tekstet univesitare.

Studentët janë përgjigjur se tekstet e leksioneve janë të përkthyer keq, disa janë më të vështira se niveli i studentëve, por shpesh është vërejtur edhe plagjiature. 

Si rrjedhim të gjitha tekstet do të verifikohen. Këtë e konfirmon edhe Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksander Xhuvani”, i cili thekson se këshillat e departamenteve do të kalojnë në filtër të gjitha tekstet që po përdoren në auditore, dhe për cdo problem që të gjendet do të ketë penalizime deri në heqjen nga programi i lëndës si dhe masë për pedagogun përkatës. 

“Nuk mund të quhet normale vënia në qarkullim të një teksti i cili mund të jetë thjesht përkthim i një teksti tjetër, ose plagjiaturë. Nga anketimet që kemi pas nga studentët na rezulton që e kanë shumë të vështirë, ndaj ne duke marrë shkas dhe motiv nga këto anketime kemi menduar, kemi diskutuar edhe në mbledhjen e rektoratit që të ngremë një komision enkas që do të merret me verifikimin dhe identifikimin e këtyre teksteve.” tha Liman Varoshi, rektor i Universitetit
 
Ndërkohë në proces verifikimi janë temat në master dhe doktoraturë të cilat shpesh janë kapur me plagjiature. Ndërsa për rekrutimin e pedagogeve ky universitet do të bëjë një intervistim të hollësishëm dhe transparent.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)