Policia e Elbasanit ka proceduar penalisht pesë tregtarë, pasi akuzohen për veprat penale 'Tregtimi dhe trasportimi i mallrave kontrabandë", " Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale", si dhe " Falsifikimi i vulave, stampave ose formulave".

Burime të Policisë bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar " Mërkur i Bardhë 2" nisi procedimi penal për personat me iniciale  B.B, 39 vjeç, D.B, 32 vjeç, Xh.Sh, 58 vjeç, Th.P, 45 vjeç dhe B.Sh, 56 vjeç, me banim në Elbasan.

Procedmi ndaj tyre filloi pasi në lagje të ndryshme të qytetit të Elbasanit, gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e sektorit të krimit ekonomik, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale detergjentë të llojeve të ndryshme, të pa shoqëruar me dokumentacione përkatëse.

Policia sekuestroi detergjentë të ndryshëm si, shampo, ilaç për larje enësh, pllakash, pastë rroje, ilaçe rrobash etj.

Nga ana e sektorit të krimit ekonomik, vijon aksioni për verifikimin e të gjithë detergjentëve përsa i përket skadencës si edhe pajisjes me dokumentat përkatëse. Materialet në ngarkim të kësaj cështjeje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme. /ATSH/