Ai ka dëshmuar se këta persona i kanë shkuar në shtëpi më armë dhe e kanë terrorizuar atë dhe familjen e tij. Sipas Mustafajt, ky është një incident me prapavijë politike pasi personat që i kërcënuan janë mbështetës të Partisë Socialiste
“Na kanë ardhur në mes të natës me armë, më terrorizuan fëmijët Sueli të vinte ditën jo në mes të natës, që më trembi kalamajtë. Tre ishin me kallashnikovë dhe një me pistoletë. Kemi dërguar nënën në spital”, është shprehur Mustafaj.

(Ne foto personi qe pretendon se eshte kercenuar, Xhevdet Mustafaj)
Por ndërkohë, sipas policisë familja është kanosur me fjalë në oborrin e banesës së tyre nga 19-vjeçari me inicialet F.M, ndaj të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Ai ka këmbëngulur të përcaktojë forcën politike që familja Mustafaj duhet të votonte më 21 qershor, në të kundërt do të kishin probleme. Sipas bluve të Elbasanit, gjatë konfliktit nuk është përdorur armë.
Drejt Elbasanit sapo kanë marrë lajmin zbarkuan lideri i opozitës Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak Ardian Turku si dhe kryetari i grupit të Punës Ridvan Bode.

Lideri demokrat Basha teksa akuzoi kandidatin e ASHEE-së në Elbasan si orkestrues të këtij kërcënimi, i kërkon prokurorisë të nisë hetime.
"Kemi nisur njerëzit këtu sapo kemi marrë sinjalizim. Provokimi me armë, terrori i banditëve Çela që janë klientelë e Qazim Sejdinit ka ardhur në të njëjtin moment kur SHBA, kongresi amerikan dhe komiteti i Helsinkit denoncojnë klimën e rënduar parazgjedhore. Sot është provuar si autori I terrorit të komunitetit rom në Qytetin e Elbasanit duke përdorur banditët Çela për të bërë terror aktivistët e PD ndërkohë ka aktivizuar edhe një rrjet për shitblerjen e votës nga zgjedhësit e kësaj zone. I bëj thirrje prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë ngjarje të rëndë. I ftoj të gjithë banorët të zgjedhin Ardjan Turkun me votën e tyre me 21 qershor për ti dhënë fund terrorit dhe blerjes së votës”, - u shpreh Basha.

Taulant Balla: Incidenti është inskenim i PD-së
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputeti socialist Taulant Balla, i cili këtë incident e ka cilësuar një sajesë për përfitime politike.
‘Nuk ka pasur asnjë sulm politik, por vetëm një zënkë mes dy familjeve që u shit si incident elektoral. Basha dhe Turku po tentojnë të prishin klimën e qetë politike që ekziston në Elbasan. Turku dhe antarët e Partisë Demokratike po inskenojnë video dhe incidente të tilla të turpshme pasi janë në panik’- është shprehur Taulant Balla.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
