Banorët e fshatit Letan në Elbasan, kanë ngritur zërin kundër aktivitetit të një guroreje pranë banesave të tyre. Ata ankohen për ndotje te ajrit nga pluhuri i përpunimit te inerteve. Kompania tha se disponon leje mjedisi.
Në një ditë të zakonshme, puna në guroren që ndodhet në Elbasan nis rreth orës 08:00, por këtë të mërkurë, mjetet e punës u fikën ndërsa zhvillohej protesta e banorëve të fshatit Letan, në Njësinë Vendore Bradashesh të Elbasanit.
Banorët ankohen se nuk hapin dot dritaret për shkak të tymit dhe pluhurit që vjen prej gurores, e cila ndodhet afro 200 metra pranë banesave të tyre.
“Nuk është as 200 metra vijë ajrore. Komplet në kundërshtim me gjithë kriteret. Pa 400 metra nuk duhet të jetojë asnjë. Këto po na marrin jetën ditën që është ditë. Nuk po hapim dot një dritare”, tha një prej protestuesve.
Të paktën 50 familje pretendojnë se janë të prekura nga ky aktivitet. I janë drejtuar me shkresa institucioneve lokale dhe qendrore, por nuk kane gjetur zgjidhje.
“I kemi kërkuar Bashkisë Elbasan. Na ka kthyer përgjigje se do merren masa. Po kalon një vit dhe nuk është bërë asgjë. Kjo gurore këtu duhet të bllokohet, sepse ndryshe nuk jetohet”, tha një tjetër banor i zonës.
Ata kërkojnë mbylljen e aktivitetit të gurores, pasi ndër të tjera ka dëmtuar dhe produktet bujqësore.
“Kërkojmë nga kryeministri të ndërhyjë vetë. Kemi bërë kërkesa të ndryshme të gjitha institucioneve vendore”, tha një tjetër protestues.
“Katastrofë e madhe mjedisore. Me këtë vapë sot, mbyllemi brenda në shtëpi. Mbyllim dyer e dritare”, tha një tjetër qytetar i pranishëm në protestë.
Kompania “IBN – I” me administrator Ervin Hasaj, e cila shfrytëzon guroren për të nxjerrë inerte, thotë disponon dokumentacion të rregullt, përfshire lejen mjedisore.
Po kështu, kjo kompani thotë se ka marrë përsipër asfaltimin e rrugës që është dëmtuar nga mjetet e tonazhit të rëndë. Banoret nuk janë dakord, dhe këmbëngulin në mbylljen urgjente të gurores.









Komente
Komento