ELBASAN- Dy ditë pasi u vu në pranga, avokati Ulian Barjami është liruar nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Bajrami u vu në pranga pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami.

Avokati u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Kur materialet kanë mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi, apo caktimin e një mase sigurimi, dhe për rrjedhojë kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. 

"Lidhur me ndalimin e shtetasit U.B, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit", thuhet në reagimin e Prokurorisë së Elbasanit. 

Prokuroria e Elbasanit ka një mesazh edhe për sistemin e drejtësisë, kur thotë se gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Më tej, Prokuroria thekson se asnjë prej këtyre palëve nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës

“Veç sa më lart, duke mos paragjykuar çështjen konkrete dhe ecurinë e hetimeve, gjejmë rastin të ritheksojmë se profesionistët e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës. Sistemi i drejtësisë kërkon bashkëpunim institucional, respekt reciprok dhe integritet profesional nga të gjitha hallkat e tij”, thuhet në reagim.

Avokati u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka se ishte kërcënuar në seancë. Në audion e siguruar nga Report TV, të publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.

Arrestimi i Barjamit bëri që avokatët në të gjithë vendin të merrnin vendimin për të bojkotuar të gjitha seancat nga sot deri më 25 tetor, përveç seancave për masat e sigurisë. Por, me lirimin e Barjamit pritet të shihet nëse Dhoma e Avokatisë do të tërhiqet nga bojkoti apo do ta vijojë deri për 5 ditë. Në reagimin e një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP. 

Kliko këtu për të lexuar reagimin e plotë të Prokurorisë së Elbasanit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Arrestimi i avokatit Ulian Barjami, Bardhi: Ngjarje e papranueshme! Na kujton të shkuarën

1760985546_gazmentbardhi.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me arrestimi e avokatit Ulian Bajrami, pas një debati me prokurorin e çështjes së tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se është i papranueshëm.

Ndërsa shton se ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë.

Në fund, demokrati shkruan se keqpërdorimi i urdhër-arresteve, na kujton të shkuarën.

Postimi i plotë:

Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është i pazëvëndësueshëm. Në këtë kuptim, arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, akte të tilla janë tipare të qarta që Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor.

Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë që ngushtojnë hapësirat profesionale të mbrojtjes efektive së avokatëve. Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e procesit të rregullt gjyqësor dhe çdo cënim i aktivitetit të tyre profesional duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga organet kompetente.

Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë aplikimin e filtrave të ligjshmërisë qoftë nga Prokuroria, ashtu edhe nga Gjykata, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, na kujton të shkuarën aspak të lavdishme kur profesioni i avokatit u ndalua me ligj.

Ora 18:47
U arrestua pasi kanosi në gjyq prokurorin, Report Tv siguron pamjet e lirimit nga qelia të avokatit Ulian Barjami (VIDEO)

 

Report Tv, siguron pamjet kur avokati Ulian Barjami lirohet nga qelia. Barjmani u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dy ditë më parë pas një përplasje në seancë me prokurorin Gjergji Ceka. Gjykata e Elbasanit urdhëroi sot lirimin e tij nga blloku i sigurisë duke u shprehur se nuk ka asnjë arsye për ta mbajtur të izoluar.

Ulian Barjami u prangos pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka. Në audion e siguruar nga Report TV, të publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dori: 20/10/2025 20:24

    Koka e krimit në Shqipëri janë pazaret Prokuror,Gjyqëta,Avokat.... Vetë fakti që nga reforma në drejtësi shumica e prokurorëve dhe gjyqëtarëve u përjashtuan për mos justifikim pasurie kjo tregon hajdutëri.

    Përgjigju
  • Erald: 20/10/2025 16:45

    Legena, u ne publike dhe e liruat,llogarit njeresit e thjeshte pa perkrahje ca u beni ju pisa, ata qe e kane mbajt ne qeli 24h duhen shkarkuar direkt dhe te shkojne ne ndjekje penale. Sillen sikur te jete prone private. Do futemi ne BE me keta pisa lapangjoza.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?