Nëse arrestimi i avokatit Ulian Barjami ndodhi për atë audio që dëgjuam të gjithë: Pra një kërcënim personal me kallëzim për prokurorët nga ai të dyshuar si manipulatorë faktesh, mund të themi se një gjë e madhe po ndodh me Drejtësinë në Shqipëri. Gjyqtarë, prokurorë, avokatë, më në fund kanë fituar lirinë për të ndërtuar shtyllën e tyre kurrizore profesionale; një shtyllë e dërrmuar me goditje varreje, shpesh herë dhe plumbash nga një politikë frymëmarrëse dhe lirirrëmbyese.

Çka po ndodh sot me Drejtësinë është shenja se kjo Drejtësi po çlirohet si një farë që shpërthen lëvozhgën e saj nën dheun e lagësht të një dimri të gjatë. Nëse një Avokat ka dyshim se janë manipuluar prova, ai bën mirë që kallëzon për këtë. Nëse Avokati ka të drejtë dhe është arrestuar gabimisht apo për hakmarrje, e gjithë kategoria e Avokatëve bën mirë të protestojë, siç po bën, duke u hedhur në grevë derisa ligjërisht dhe duke i kërkuar mendim po Drejtësisë, të arrijë lirimin e tij. Ashtu si dhe prokurorët mbrohen e vetëmbrohen nga akuza politikanësh dhe mediash apo si gazetarët bëjnë të njëjtën gjë me padrejtësitë ndaj tyre. E gjitha sa ndodh është lëvizja më e madhe që është parë ndonjëherë për të krijuar identitetin dhe lirinë për veprim nën ligj.

Kur më parë kemi konstatuar zhvillime të tilla? Në të vërtetë avokatë, prokurorë e gjyqtarë i zgjidhnin mosmarrëveshjet me sa duket me ndarje përqindje shumash apo urdhëra politike që nuk i lejonin të arrinin deri në kërcënime kallëzimesh apo arrestime, qofshin dhe të gabuara. Drejtësia dhe të gjithë përbërësit e saj kryesorë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm se kurrë se tani, jo më vonë, e kanë mundësinë të krijojnë pushtetin e tyre profesional, të domosdoshëm për demokracinë. Kjo lëvizje në liri do të jetë me dhimbje, do të jetë me gabime, me korrigjime, por nëse realizohet ashtu siç duhet dhe krijon vijat e pashlyeshme për pavarësi, është një e mirë për të gjithë.