Një grup banorësh të lagjes “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit, të prekur nga projekti për zgjerimin e varrezave publike, i janë drejtuar Bashkisë së Elbasanit përmes një peticioni.  Të mbledhur para institucionit vendor ata shprehin shqetësimin se varrezat do të shtrihen shumë pranë banesave të tyre, në një distancë rreth 15 metra.  Sipas banorëve, kjo situatë do të sillte pasoja psikologjike, sidomos për fëmijët.

Mes protestuesve është dhe një nene e re me foshnjën në krah qe kërkon kënd lojërash në vendin ku bashkia ka projektuar të zgjeroje varrezat.

Nga ky projekt preken drejtpërdrejt rreth 30 familje, ndërsa numri i atyre që ndikohen në mënyrë indirekte është edhe më i madh.

Banorët paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, do t’i drejtohen rrugëve ligjore.

Edhe këshilltari i Partisë Demokratike, Artan Kana, e vlerëson të arsyeshëm shqetësimin e komunitetit dhe i bën thirrje Bashkisë së Elbasanit të gjejë një alternativë për ndryshimin e projektit.

Bashkia e Elbasanit thotë se është e vendosur ta zbatojë projektin për zgjerimin e varrezave, bazuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar në vitin 2016, i cili përcakton përdorimin e zonës për varreza dhe shpronësimin e saj në interes publik. Ndërkohë, një pjesë e banesave të ndërtuara në këtë zonë janë pa leje ndërtimi dhe në kundërshtim me planet rregulluese në fuqi ndër vite. Këto ndërtime informale nuk mund të cenojnë zbatimin e projektit, thuhet ne reagim.