25 nëntori, hapi siparin e festimeve të 110 vjetoritn të shpalljes së Pavarësisë, me ngritjen e flamurit në Elbasan. Bashkia e Elbasanit organizoi disa aktivitete me këtë rast, mes tyre edhe ngritjen e simbolike flamurit në qendër të qytetit. I pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, Kryebashkiaku Gledian Llatja, deputetë, përfaqësues vendor dhe përfaqësues të familjeve të vjetra të qytetit.
Gjiknuri theksoi se falë veprës së atyre patriotëve, Shqipëria arriti që të jetë shtet i pavarur. “ Në ato kohë të vështira, kur fati i Shqipërisë nuk dihej si do të shkonte në rrënimin e Perandorisë Osmane, ishin këta burra të mençur të Elbasanit, të cilët bënë hapin e parë formal për të shpallur Shqipërinë të pavarur. Vërtet flamuri u ngrit në Vlorë, ai është eventi që njeh gjithë Shqipëria, por patriotët e Elbasanit ishin të parët, që ndërmorën këtë hap dhe jo pa qëllim. Elbasani si qendra e Shqipërisë, tamam “kërthiza” e Shqipërisë, dhe për rolin që ka luajtur në histori si nga pikëpamja e dijes, po ashtu edhe nga trimëria, bëri këtë akt heroik që e vlerësojmë edhe sot dhe që është kontribut i të parëve tanë”, tha ai.
Numri dy i socialistëve u shpreh se Shqipëria është shumë më e sigurtë nga çfarë ka qenë, dhe një vend që sheh drejt BE-së. “Njëkohësisht edhe në kontekstin ku jetojmë, Shqipëria është shumë më e sigurtë nga çfarë ka qenë. Shqipëria po sheh drejt Bashkimit Europian, por gjithçka është ndërtuar mbi punën dhe sakrificën e brezave që kanë kaluar. Të ndjeheni krenarë, dhe të bëjmë krenar të gjithë Shqipërinë me këtë ceremoni simbolike këtu në Elbasan”, nënvizoi Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se sakrifica e të parëve bën ccdo qytetar të Elbasanit krenar. “Në fund të fundit çdo elbasanlli duhet të jetë vërtet i respektuar dhe të ndjehet mirë për atë çfarë kanë bërë të parët. Unë e them kudo, Elbasani ka dy karakteristika që shumë pak krahina mund ti kenë në Shqipëri: ka edhe mendjen, ka edhe zemrën. Pra, kanë qenë të penës dhe të librit, por kanë qenë edhe të trimërisë dhe në histori e kanë treguar këtë. Rrallë herë kombinohen tek një krahinë këto dy karakteristika. Pikërisht, jemi sot këtu, për t’u ndjerë krenarë dhe për të respektuar sakrificën e tyre”, deklaroi Gjiknuri.