ELBASAN - Pas 3 orë debatesh dhe replikash të shumta është miratuar buxheti i vitit 2013 në Këshillin Bashkiak të Elbasanit me një vlerë prej 1 miliard lekë të reja. Buxheti kaloi me votat e të dy palëve, ndërsa këshilltarët e djathtë theksuan se buxheti i këtij viti është i pamjaftueshëm përballë investimeve që i nevojiten qytetit të Elbasanit.

Nisur nga situata e vështirë ekonomike që po kalon Bashkia e Elbasanit, kryetari Qazim Sejdini, pranoi pamundësinë për ta realizuar këtë buxhet, duke marrë përsipër përgjegjësinë për këtë. Ai deklaroi se për shkak të bllokimit që dega e thesarit në mënyrë tendencioze po i bën këtij institucioni, nuk do të jetë e largët dita kur Bashkia e Elbasanit do të mbyllë dyert.

Këshilltarët shtruan për zgjidhje emergjente një sërë problematikash të qytetit, si investimet në infrastrukturën rrugore, investimet në infrastrukturën e shkollave, por edhe në sistemin e ngrohjes së tyre. Ata kërkuan gjithashtu llogaridhënie nga stafi i Bashkisë për mosrealizimin e mbledhjes së të ardhurave.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)