Elegji për 22 marsin

Elegji për 22 marsin

Demokratët, 1992

Më 22 mars të këtij viti demokratët shqiptarë do të duhej të festonin me madhështi nën tingujt e fanfarave 30 – vjetorin e ardhjes së Partisë së tyre dhe opozitës shqiptare për herë të parë në pushtet, pas zgjedhjeve parlamentare të marsit të vitit 1992. Ishte një ngjarje historike në kushtet e pluralizmit politik, të instaluar një vit e gjysmë më parë.  Mbi njëqind mijë vetë kishin vërshuar në Sheshin “Skëndedrbej” në mbrëmjen e 23 marsit për të fesrtuar në delir fitoren madhështore të opozitës.

Ishin atje të gjitha shpresat dhe ëndrrat, të gjitha pritshmëritë, të gjitha iluzionet për një jetë më të mirë, të drejtë e të begatë, të gjitha ngazëllimet që më në fund ia arritëm kësaj dite të shumëpritur, pas 45 vjetëve diktaturë komuniste. Në tribunën e mitingut të fitores para Pallatit të Kulturës ishin mbledhuer të gjithë ata që kishin kontribuar per atë ditë. Ishte atje edhe ambasadori amerikan William Rayerson, i zhveshur nga “fraku” diplomatik, si mbështesës i hapur i opozitës për të marrë pjesë edhe ai në atë ngazëllim popullor.

Do të duhej të përkujtohej pikërisht më 22 mars të këtij viti me madhështi ajo ngjarje, si një zhvillim historik në jetën e vendit, jo vetëm për Partinë Demokratike. Do të duhej të mbaheshin fjalime, të këndohej himni kombëtar, të ngriheshin dolli, të ftoheshin në të, të gjithë kontribuesit e asaj dite, po ashtu edhe përhaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Nëpër gazeta e televizione do të duhej të vërshonin shkrimet dhe fjalimet solemne për atë tridhjetëvjetor.

Përkundër asaj, me trishtim të thellë sot jemi të detyruar të shkruajmë elegjinë e asaj date të shënuar dhe asaj partie që shkroi historinë e pluralizmit politik shqiptar. Pa hezitim, elegjinë e saj. “Flamujt” sot atje, te Partia Demokratike, janë ngritur në gjsymështyzë dhe kjo situatë e zisë nuk dihet sa do të zgjasë më tej. Në vend të festës së madhe të fitores së dikurshme, atje sot po zhvillohet debati oruellian rreth temës: Të gjithë derrat janë të barabartë, por disa derra janë më të barabartë se të barabartët. A është derr më i mirë (oruellian) Lul Brava, apo është më i mirë  ai “non grata”? Rreth kësaj çështjeje shtillet e pështillet prej muajsh e gjithë lufta në atë parti.

Dhe kështu, ditën e 30 – vjetorit të festës së madhe, atje kemi sot dy parti brenda një partie, ku njera mbron me vetëmohim “bedenat” e SHQUP-it në emër të statutit,  ku njeri kryetar, ai formal, prej nëntë vjetësh ka mbajtur peng partinë duke tundur çelësat e “kështjellës” mjerane, pa shënuar asnjë fitore elektorale të saj, por vetëm humbje, deri në zgjedhjet e fundit. Katër beteja elektorale kombëtare janë humbur gjatë nëntë viteve të kryetarllëkut të tij, pa llogaritur ato në gjashtë njësitë vendore. Pas nëntë vitesh në opozitë, në vend që të shkulnin nga karrigia kryeministrin në pushtet, demokratët duhet të shkulnin tani nga “kështjella” me thonj hijen e liderit të tyre humbës, që vetë e zgjodhën atje.

Në anën tjetër të “Lanës demokratike” kemi një plak shtatëdhjetetetë – vjeçar, (plaku Mere) me një damkë të madhe të zezë mbi shpinën e kërrusur, atë “non grata”, të vendosur nga SHBA, pa llogaritur këtu damkën e komunistit 25 – vjeçar që e ka në ballë nga e kaluara. Ai rreket të rihedhë në duar partinë e cfilitur, siç e hodhi  dikur në duar tinëzisht partinë e krijuar nga studentët në dhjetor të vitit 1990. Ai nuk stepet në lakminë e tij as nga mosha, as nga sëmundja, as nga “non grata”, as nga asgjë. Qëllimi i tij i vetëm në këtë kryqëzatë është të heqë “gungën” amerikane nga shpina, sikur kjo të varej prej shqiptarëve. Kandidati plak për kryetar të ri harron se ishte ai që e solli Bashën në parti, që i dha postet më të larta në qeverisje, që e mbështeti për tetë vjet në opozitë, duke ia justifikuar të gjitha humbjet e njëpasnjëshme. Vetëm kur Basha u distancua nga “non grata”, atëherë ai u bë i keq për të.

Bashkë me plakun Mere, janë vënë në një front me të edhe e gjithë shpura e pleqve (dhe e plakave) të tjerë të asaj partie, me shpresën se kështu do ta “rinovojnë” partinë dhe do ta “mjelin” lopën e saj derisa të kenë sytë hapur. Askush nuk mendon për rinovimin fizik, mendor, moral e programor të partisë. Të rinjtë u duhen vetëm si fond për të zbukuruar “foltoret”, me demek, kemi edhe ne rininë me vete. Nuk dinë të marrin shembull nga partia tjetër, ajo Socialiste, e cila çdo katër vjet sjell fytyra të reja në parti, qeveri  e Kuvend, duke u treguar të rinjve se ajo  është realisht streha e tyre.

Nga kjo luftë cfilitëse brenda llojit demokratët e thjeshtë prej vitesh janë të lodhur, të mërzitur, të deziluzionuar e të terrorizuar, sepse po ia shikojnë hajrin gërnjës që ka plasur brenda “shtëpisë” së tyre tridhjetëveçare. Duket se e keqja në atë parti i ka rrënjët të thella dhe prandaj nuk mund të shkulen lehtë.  Polititologët mund të gërmojnë për të gjetur shkaqet e kësaj dukurie të mjerë alla – shqiptare. Këtu po shpreh vetëm një mendim.

Në të gjitha vendet e lindjes ish – komuniste partite e para opozitare që erdhën në pushtet e humbën atë në zgjedhjet e katër vjetëve  më pas. Aq ishte misioni i tyre historik: të rrëzonin komunizmin. Më tej roli i tyre merrte fund, duke u zhdërruar në parti të reja me programe e objektiva specifike në kushtet e shoqërisë së re. Atëherë ato u shpërbënë, u ndanë, u shpërndanë, u reformuan e riformuan duke krijuan parti të reja nga “mitra” e tyre ose duke u shuar fare. Ato i kishte thirrur historia për të shembur sistemin komunst dhe me këtë mbaroi misioni i tyre. Më tej do të duhej të mbijetonin në kushte të reja, ose të zhdukeshin. Kjo është dukuri historike në të gjitha vendet e lindjes ish – komuniste. Si e tillë, kjo duhet të ndodhte edhe në vendin tonë. Parrulla e Ramiz Alisë “ne nuk jemi as lindje, as perëndim” nuk pati vlerë as tridhjetë vjet më parë e nuk ka vlerë as sot, për të justifikuar gjendjen në Partinë Demokratike.

Tani po ngrihen zëra “nga brenda” që pranojnë se situata e përçarjes dhe e përçartjes në parti ka bashkautorësi dhe këta bashkauotrë janë edhe Berisha, edhe Basha. Berisha e solli Bashën në parti, ai e ngriti, e seliti, e promovoi dhe e gradoi në poste të rëndësishme partiake e qeveritare,  deri në krye të partisë. Ai ia justifikoi humbjet e njëpasnjëshme legjendare në opozitë me teorinë e “manipulimit” të zgjedhjeve, e mbajti aty derisa Bashës iu mbush mendja se çoç ishte edhe ai në këtë të botë të ngatërruar të politikës.

Berisha mund ta hedhë tani në duar partinë e Lul Bravës, në gjendjen që ajo është katandisur, por nuk do të hedhë dot kurrë në duar shumicën e elektoratit shqiptar, e nevojshme kjo për të qeverisur vendin. Shqipëria ka tani më shumë se 30 vjet në rrugën e demokracisë dhe breza të rinj kanë dalë në jetën politike dhe shoqëroere.  Sa më shpejt të kuptohet kjo në atë parti, aq më shpejt do të dalë ajo nga bataku shumëvjeçar në të cilin ndodhet.

Gjithë partitë në botë rinovohen, reformohet, riformatiohen në ide, programe, objektiva, lidership etj. Vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë vazhdon të mbetet te “këshilli i pleqve” të vitit 1991.  Vetë ish-lideri i saj  Berisha flet sot për “rilindjen” e partisë. Për “rilindje” me shpirtra të vdekur. Ajo parti pra, që u krijua në dhjetor të nëntëdhjetës prej studentëve dhe që erdhi në pushtet në 22 mars të vitit 1992 ka vdekur dhe nuk mbetet tjetër veçse të shkruajmë elegji pë të.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirona: 22/03/2022 16:19

    Blendi feziu merr para per te genjyer

    Përgjigju
  • Malsori: 22/03/2022 10:37

    Kam një pyetje për të gjithë demokratët e demokratet e Salos e të Lulit (edhe për gjithë shqiptarët) se kush ishte ambasadori i parë i një shteti të huaj, i akredituar në Shqipëri, që shkoi diku rreth orës 24:00 në selinë e PD-së, sot e tridhjetë vjet më parë, me një shishe "Vodka" në dorë dhe i uroi Salos fitoren? Nëse nuk e dini, përgjigjen mund t'ua jep Blendi Fevziu.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?