Elegjia e trishtë e Ismail
Kadaresë për homoseksualët

Elegjia e trishtë e Ismail<br />Kadaresë për homoseksualët
Një “xhelozi mashkullore shihet si zanafillë gjakmarrjeje”. Kështu shkruhet në një nga komentet analitike të studiuesit Roland Zisi që i ka bërë tregimit të Ismail Kadaresë, “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”. Libri më i fundit i studiuesit Roland Zisi “Miti i Narcisit në Letërsinë shqipe” analizon në një rrafsh më të gjerë sesi shfaqet Miti i Narcisit nga Ernest Koliqi tek Ismail Kadareja ; nga Koço Kosta tek Agron Tufa. Duke lexuar tekstin studimor të Roland Zisit, kujtohemi se nuk është hera e parë që shkrimtari Ismail Kadare sjell në shtjellat provokative temat mitike shqiptare, siç janë kanuni, gjakmarrja, baladat. Në tregimin e tij Kadare bën çmos që gjithshka të perceptohet e të vlerësohet jo si e tillë, por si diçka humane, si “një brengë shekullore meshkujsh” e që meriton pak vëmendje.  Roland Zisi:Dëshirat e ndalura mashkullore, zanafilla e gjakmarrjes


“...Prenku u kujtua se po i afrohej Lerës së Ftohtë. Ishte ajo që shokët e kullës së ngujimit ia kishin këshilluar ta përdorte si pasqyrë rrugës për në tokrendë…Dëshira për t’u përkulur prapë sipër saj, tani që ishte princ i bukurisë, iu përzie natyrshëm me atë të rrëfimit…! Po i afrohet ujit për t’u pare në të, tha me vete Gaspër Cara. Kujdes Narcis.
…Prenku qëndroi ca çaste te buza e lerës. Pastaj u përkul mbi të për t’u parë.”
 
Kadare: nga “Konkurs bukurie …”
 
“Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna” është shkruar në vitin 1996, kur shoqëria shqiptare kishte lënë prapa sistemin politik totalitar dhe nisej drejt diçkaje të re e cila ende nuk shquhej mirë por gjithsesi premtonte për shqiptarët, atë që iu kishte munguar më tepër: Lirinë.
 
Ngjarjet vendosen në Lugjet e Epërme, në zemër të Bjeshkëve të Namuna, pra në Shqipërinë veriore. Malësi Shqiptare dhe Kohë Mbretërore. Sfond politiko- shoqëror i zymtë, cilësi jete njerëzore e ulët, e njëjtë me tablotë pesimiste të vizatuara nga Koliqi tek “Pasqyrat e Narçizit”,
 
Personazhet ose aktorët kryesorë të kësaj proze janë dy: Prenk Curri dhe Gaspër Cara. Prenk Curri është një malësor i ri, i heshtur e i vetmuar, që për shkak të një vrasjeje për gjakmarrje, gjendet duke vuajtur dënimin në një nga kullat e ngujimit të malësisë, pikërisht në kullën e Agripës së Keqe, duke respektuar kështu një prej kërkesave të Kanunit. Spikat tek ai një bukuri e ftohë e natyrale.

I dyti, Gaspër Cara, shfaqet që në hyrje të tregimit me tiparet e buta të një djaloshi të shkolluar nga kryeqyteti. Prezantohet me një sjellje të çuditshme, të pazakontë derisa merret vesh se vuan në vetvete një dramë të dyfishtë, shpirtërore e trupore: është homoseksual dhe si i tillë ndjenjat dashurore të tij priren për nga rraca mashkullore.
 
Subjekti: Gaspër Cara njoftohet se diku në Bjeshkët e Namuna do të organizohet një konkurs bukurie për burrat. I çuditur pa masë dhe me një varg hamendësish në kokë, këtë lajm e ndan me doktorin, mikun e vetëm të halleve e brengave të tij. Një konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna!!! Domethënë një TOKRENDЁ! Ishte një gjë shumë e rrallë, e pabesueshme për të gjithë.

Thellë në shpirtin dhe ndërgjegjen e Gaspër Carës, lind një fije e hollë shprese se, ndoshta kjo ngjarje duhet të ishte një shenjë pozitive, një hapësirë lirie për sojin e tij. Dhe niset për në Lugjet e Epërme, aty ku do të zhvillohet TOKRENDA, për t’i “shijuar” nga afër djemtë dhe burrat më të bukur të malësisë. Cili mashkull do të zgjidhet princ? Si do të jetë ai? Gaspëri patjetër duhet “t’a takojë nga afër” atë! Në anën tjetër, diku në zemër të Bjeshkëve, Prenk Curri del nga kulla e ngujimit të Agripës së Keqe dhe merr rrugën për në Lugjet e Epërme.

Ai do të jetë një prej pjesmarrësve rivalë në tokrendë, e cila do të zgjatë disa ditë. Në njerën prej atyre ditëve, sytë e Gaspër Carës pikasin dhe kryqëzohen me ato të Prenkës, i cili sorrollatej i vetëm, në sheshin e tokrendës. Gaspëri ngel pa frymë nga sytë e bukur dhe hijeshia e shtatit të tij. Dridhet e fërgëllon së brëndshmi, ashtu si vetëm ai di! E dëshironte atë burrë! Më në fund juria dha vendimin: Burri më i bukur i malësisë shpallet Prenk Curri!

Fill pas kësaj fitimtari, lë prapa Lugjet e Epërme për t’u kthyer sërish në kullën e ngujimit. Ndjen se dikush po i shkon pas. Prenka e njeh djaloshin kureshtar që e kish vëzhguar çuditshëm në tokrendë dhe shpejton. Mbërrin te Lera e Ftohtë me dëshirën për t’u përkulur mbi syprinën e ujit e për të parë veten, sidomos tani që ishte bërë princ. Edhe Gaspër Cara nxiton, lumturohet teksa e sheh princin të shtrirë në buzë të Lerës. Afrohet për t’i folur por… Princi i bukurisë kishte vdekur.
 
A mundet të ketë ndodhur vërtet një konkurs i tillë, një luks joshës e kaq arisokratik, në Shqipërinë e zymtë e të prapambetur, të asaj kohe “pa kohë”?
A nuk duhej që, edhe nëse ndodhnin të tilla konkurse bukurie, ato t’u dedikoheshin grave, zonjave, vajzave?

Kështu që, mes kësaj vorbulle donkishoteske, mund të këtë ndodhur edhe një TOKRENDЁ serioze dhe me dinjitet! Shkrimtarët, në punën e tyre nisen nga aksioma se, nuk ka shumë rëndësi nëse diçka ka ndodhur ose jo, rëndësi ka që është e vërtetë.
 
Dhe sa për pyetjen e dytë, ajo duhet të tërhiqet mbrapsht, del pa sens sepse Kadare argumenton:
“E para gjë që u qartësua nga gjithë ai pështjellim ishte përjashtimi i plotë i grave…Madje as princeshat po t’u shkrepte trilli s’do të pranoheshin. Princesha jeni, qofshi me shëndet…veç mos u përzieni në punët e saj.” (të tokrendës R. Z).                
 
Modaliteti i shkrimit letrar fiction në këtë rast dhe alkimia kadareane, përziejnë dhe organizojnë në një strukturë të vetme, ministruktura motivesh sociale, morale dhe ekzistenciale, të cilat, mund t’i renditim kështu:
Motiv nga mitologjia greke: Narcisi.

Dëshira mashkullore të dënueshme: Dashuri e njështatshme.
Atmosferë Kanuni: Kulla ngujimi, rregulla, ligje.
Xhelozi mashkullore: zanafillë gjakmarrjeje.
Shmangie nga Kanuni: vrasje dhe krime ordinere.

Teksti ”Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e namuna”, është shkruar nga Kadare, sipas modelit shkrimor të hipertekstualitetit, aq karakteristik në tërë prozën dhe poezinë e tij. Miti i Narcisit në këtë rast, luan rolin e një arkiteksti, përmes subjektit origjinar të devijuar e të përshtatur. Në këtë kontekst, Prenk Currit, ashtu si Narcisit të mitologjisë greke, i është paracaktuar një fat, prej të cilit nuk shpëton dot.

Ndryshe nga heroi antik, fatin e të cilit e përcaktojnë perënditë, Narcisi ynë krejt njerëzor, shkon drejt fundit tragjik, jo për shkak të verdiktit hyjnor e të pashmangshëm. Ai është i destinuar të vuajë këtë fund tragjik për shkaqe thjesht humane dhe banale. Ai në asnjë mënyrë, ashtu si Narcisi, nuk mund të shmangë epilogun e tij fatkeq sepse veç të tjerash
 
“Dhe emrin ai e kishte Prenk, pra princ, siç i thonin shqiptarët e vjetër, ç’ka do të thoshte se fati qyshkur e kishte caktuar për atë ditë”.[2]
 
Prenk Curri nuk mbytet në ujrat e Lerës së Ftohtë, i ngazëllyer e i vetdashuruar. Narcisi ynë, e dashuron jetën në kuptimin e vërtetë të saj, por ligjet e ashpra të jetës shqiptare bëjnë që kjo dashuri të shkojë deri te pushka e tij.
 
Në anën tjetër, fusha e veprimit që përfaqësohet nga Gaspër Cara, filimisht duket se është një linjë luksi për shoqërinë shqiptare të asaj kohe e ndoshta edhe për të sotmen. Kadare bën çmos që gjithshka të perceptohet e të vlerësohet jo si e tillë por si diçka humane, si “një brengë shekullore meshkujsh”[3] e që meriton pak vëmendje.

Ai dëshiron të japë një kumt emancipimi, një dritëz shprese për tolerancë e mirëkuptim shoqëror. [4] Në këtë aspekt, përveç të tjerash, kjo prozë duhet lexuar trishtueshëm si një elegji për individët e prirur drejt dashurisë së njështatshme ose homoseksualitetit.

Një grup burrash shqiptarë në vitet 1900 me logo
(Në foto Një grup burrash shqiptarë në vitet 1900)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë