Elhaida Dani, profili i një dive
shqiptare në skenën e Italisë

Elhaida Dani, profili i një dive<br />shqiptare në skenën e Italisë
TIRANE - Elhaida është një thesar. Nga ato thesare që shkëlqejnë fort, kur arrin t’i nxjerrësh nga thellësitë, kur  i merr në duar dhe kur i shfaq në vendin dhe kohën e duhur... Elhaida në të vërtetë ka vezulluar në mënyrë marramendëse në netët e së enjteve në “The Voice Italy”.

Portreti i saj i paqtë me një ëmbëlsi përkëdhelëse ndërsa buzëqesh në momentet e daljes në skenë, forca shpërthyese e vokalit, kur mbërrin notat më të larta e të vështira, rrezatimi që reflekton ndërsa interpreton... por edhe shumë detaje të tjera të imëta në komunikimin e saj magjik me publikun, të gjitha këto krijojnë një profil të pazakontë të një dive.

Ajo është sfiduese... Ka lindur për të qenë e tillë. Elhaida është një rrëmbyese zemrash, që zhduk çdo paragjykim të publikut, që i josh të gjithë, sapo nis të interpretojë notat e para. Dhe jo rastësisht është aty, në atë fron vezullues, ku e ngjiti pasioni, talenti i pazakontë, këmbëngulja, zgjuarsia e ndoshta edhe fati. Elhaida, padyshim ishte surpriza më e madhe e “The Voice Italy”. Ajo meritoi me të drejtë çdo koment deri në superlativa të anëtarëve të jurisë... “një uragan”... “një shpërthim”... “një forcë e natyrës”....” e mrekullueshme”, “e shkëlqyer”, “magjike”...
 
 POR SI MBËRRITI ELHAIDA DANI DERI KËTU?

Ajo ka studiuar piano që në moshën 6-vjeçare në liceun artistik ‘Prenkë Jakova’ në Shkodër. Mbasi mbaroi liceun Elhaida konkurroi në Akademinë e Arteve e tashmë studion në vitin e parë për muzikologji. Fëmijëria e saj ka qenë e mbushur me muzikë. E me gjithë këtë kurrë nuk u përfshi në konkurrime a festivale sa ishte fëmijë.

Në vitet e shkollës së mesme Elhaida nisi të angazhohet në aktivitete të ndryshme shkollore. Zbulimi i parë ishte në koncerte e aktivitete të ndryshme fetare që zhvilloheshin në Shkodër. E ndërsa ishte thuajse e panjohur, Elhaida fiton në 2009-n, audicionin në “Star Academy” ideuar e drejtuar nga Zana Çela, e cila e spikati që në fillim talentin e pazakontë dhe vokalin e rrallë të Elhaidës.

Ndaj nuk qe çudi që ajo u shpall fituese e këtij “talent show”, duke nisur mandej një karrierë të vrullshme muzikore. Po atë vit regjistron këngën e saj të parë “Si asnjëherë”. E mandej merr pjesë në festivale ndërkombëtare si në Rumani, Bullgari etj. Ku vlerësohet maksimalisht.

Në vitin 2011 në “Suncane Skale”, Elhaida fitoi çmimin për artisten më te mirë të re, ndërsa po atë vit në 23-24 shtator në Festivalin “Zlaten Kesten” në Petriç, Bullgari ajo u zgjodh “Best Singer”. Një arritje e madhe qe për të trofeu në Top Fest, ku mori çmimin e madh me këngën “S’je më” dhe publikimi i albumit të saj të parë.
                  
                                                                               * * *

Ndërsa këto ditë emri i Elhaidës ndeshet kudo në media a rrjete sociale, askush nuk do ta besonte se ajo dështoi 3 vjet më parë në një garë talenti po në Itali. Elhaida ka treguar se më parë kishte provuar edhe tek “Amici”, por  “tek ‘Amici’ më kthyen mbrapsht që me provën e parë në vitin 2010″, është shprehur Elhaida, dy ditë më parë në mediat italiane.

                                                                               * * *

Elhaida thotë se forcën dhe inkurajimin për të rrugëtuar drejt majës e ka marrë gjithnjë tek familja e saj. Dy prindërit, shkodranë të pasionuar pas muzikës, mund t’i përfytyrosh si dy portrete ku trazohen në një gjithë ndjenjat shpërthyese mes gëzimit, emocioneve, arritjeve, frikës dhe forcës e kurajës që e përcjellin çdo çast tek vajza e tyre. Ata nuk i janë ndarë për asnjë çast të rrugëtimit të saj muzikor. Së fundmi në “The Voice of Italy”, portretet e tyre me sy të përlotur e buzëqeshjen rrezëllitëse e shpërthyese pas çdo sfide të fituar nga e bija, janë skalitur në mendjen e mijëra shikuesve.

                                                                               * * *

“The Voice Of Italy” është padyshim kulmi i karrierës së këngëtares 20-vjeçare. Një prezantim tejet dinjitoz dhe emocionues. Në këtë garë muzikore këngëtarja me zërin potent bëri një audicion të jashtëzakonshëm duke çuar në këmbë publikun dhe 4 trajnerët: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù dhe Noemi. Ajo kishte zgjedhur këngën “Mama Knows Best” të këngëtares Jessie J., një këngë që kërkonte zë të fortë dhe me ekstension vokal. Sigurisht Elhaida qe shpërthyese. Performanca e saj mori vlerësimet më të larta nga të gjithë trajnerët.  E megjithëse të gjithë bënë fushatë për të marrë në skuadrën e tyre Elhaidën, ajo zgjodhi të shkonte tek skuadra e këngëtarit Riccardo Cocciante.

E mërzitur disi që ajo nuk zgjodhi Rafaela Carra-n, kjo e fundit ishte e para që artikuloi frazën “Elhaida mund të jetë ‘The voice’”. Në daljen e dytë, vajza nga Shkodra çuditi organizatorët e programit, të cilët e quajtën si sfidë ndërkombëtare mes saj dhe këngëtares italo-amerikane, Franceska Belenis. Beteja e tyre u konsiderua si një “luftë” mes dy tigrash, ku fitimtare doli Elhaida. Në daljen e tretë, ajo la përshtypje të veçantë me performancën e këngës “All by myself”.

Edhe pse publiku italian vendosi këtë natë për 16-vjeçarin Matia, Cocciante zgjodhi Elhaidën për të kaluar në fazën pasardhëse. Në paraqitjen e katërt në “The Voice Of Italy” ishte e paevitueshme të këndohej një këngë në italisht, prandaj Elhaida dhe Riccardo Cocciante zgjodhën “Nessun Dolore”, një performancë e rrallë, arriti të shpalosë gjithë vlerat e saj interpretuese dhe vokale.

Këtë natë Elhaida ia doli të fitojë edhe zemrat e publikut, duke u shpallur fituese nga televotimi. Cocciante  e priti me emocion të madh verdiktin e publikut, ndërsa i qetë e përcolli me mendje konkurrentet e tij drejt finales. Një triumf i vërtetë mund të konsiderohet performanca e Elhaidës me  “Adagio”, pas së cilës shpërthyen në lot jo vetëm Elhaida, por edhe vetë trajnerin e saj Riccardo Cocciante.


Pas këtij udhëtimi plot surpriza, rruga e saj drejt majës u projektua e plotë. Nga prezantimi i parë i saj në “The Voice of Italy” e deri më tani në fund, Elhaida kaloi hap pas hapi drejt fronit të ndritshëm, atje ku rrallë kush shkon aq bindshëm, atje ku mund të sundojnë vetëm divat si ajo.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet