Elida Janushi: Humbja e 
Trebickës, një dhimbje e madhe

Elida Janushi: Humbja e <br />Trebickës, një dhimbje e madhe
TIRANE - Artisti i Merituar Roland Trebicka kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”. Komedia theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë. Dje, e telefonuar nga “Shqiptarja.com”, partnerja e tij, e njohur si “gruaja” e Jovan Bregut, Elida Janushi, rrëfeu sesi ka punuar me aktorin Roland Trebicka, duke e konsideruar si një nga kolegët më të çmuar të skenës. 

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të kolegut tuaj Roland Trebicka. Jovan Bregun e tij e mbajmë mend të gjithë shqiptarët. Ju ishit në atë rol gruaja....

Ishte një humbje e madhe. Roland Trebicka ishte një figurë e rëndësishme me përmasa të jashtëzakonshme, si në teatrin serioz dhe sidomos në komedi. Është vështirë në këto momente të shprehem për vlerat e tij. Sa mora lajmin jam tronditur shumë, për Rolandin si aktor, jam tronditur si kolege, si partnere rolesh.

Falë tij, edhe ju keni mbetur në kujtesën e publikut si gruaja “ideale”. Sa ju ka ndihmuar i ndjeri Trebicka për rolin?
Sigurisht realizmi i rolit ishte meritë e tij. Për mua ai ka qenë një njeri që dinte të më drejtonte si partnere. Trebickën unë e pata partner në shumë role, që në hapat e para të punës sime si aktore. Ndaj e ndjeva humbjen e tij. U shokova kur më tha kolegia në telefon. Para tre katër ditësh në një drekë me kolegët e përmendëm për kurajën sesi e kaloi sëmundjen. Kishte një kurajë të rrallë.

Ç’do të thotë të ishe gruaja e tij në skenë, si ishin marrëdhëniet tuaja gjatë provave?
Ai më ka ndihmuar që të ishim një çift skenik i realizuar. Rolandi të krijonte komoditet në punë. Ai të krijonte atë dëshirë për ta ndjekur pas interpretimin e tij. Dhe i sillte të gjitha rrethanat që secili të ishte sa më komod në komunikim dhe në interpretim. Rolandi shquhej për humorin që e pasqyronte bukur dhe për korrektësinë më të madhe në skenë.

A kishte raste që nxehej gjatë provave?
Raste që nxehej...! Jo s’e kujtoj që ai të nxehej. Ai më shumë shqetësohej për mënyrën sesi duhej të punonte me rolin. Ai kishte një seriozitet të atillë gjatë provave, sa e kishin zili shumë aktorë. Që të dilte në skenë me një rol ku të gjithë qeshnin, kjo Rolandit i kushtonte një përpjekje shumë serioze gjatë provave.
   
Dihet që ai bënte edhe humor gjatë punës. Ju lutem, e di që e keni të vështirë në këtë moment, por diçka duhet të ju kujtohet...

Po çfarë të kujtojë më parë. Unë gjatë gjithë punës si aktore kam punuar shpesh si partnere e Rolandit. Unë do të kujtoja këtu edhe një rol që e kam pasur partner, ku luanim dy figura nga veriu, që ishte rol serioz. Me të njëjtin seriozitet që ka punuar atë rol, punoi edhe rolet komike e të tjerat deri në fund të jetës.

Për të nuk kishte rëndësi se roli ishte komik apo serioz, puna që bënte ishte gjithmonë serioze. Unë e kujtoj po aq këmbëngulës e serioz edhe te roli “Ëndrra e Ismail Qemalit. Ai e dinte që shëndeti i tij nuk do ta çonte dot shumë larg dhe vendosi të luante. Kishte shumë force e kurajë, nuk fliste për sëmundjen, s’e zinte në gojë. Fliste vetëm për çështje të skenës e teatrit.

Ju bënte ndonjëherë për të qeshur gjatë interpretimit, sa mund të dilnit edhe jashtë rolit?
Sigurisht, humori ishte pjesë e natyrës së tij, por në këto momente nuk jam në gjendje të tregoj më shumë, të lutem.

Kur e takuat për herë të fundit Roland Trebickën?
Nuk kam shumë kohë që e kam takuar. Ai vinte edhe pas rolit të Beut, vinte në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe dilte me ne edhe për të pirë ndonjë kafe dhe bisedonim. Por për problemet e shëndetit nuk e jepte veten. Ai ta lehtësonte bisedën me humor.

Ju ka treguar nëse kishte plane te tjera?
Nuk foli për to. Nuk bënte biseda të tilla. Në biseda u referohej diskutimeve dhe temave të artit. Të lutem, është e pamundur të flas më tepër...

Çdo të thotë për ju humbja e një partneri skenik aq të rëndësishëm që ka mbetur në kujtesën tonë e rrjedhimisht bashkë me ju?
Ç’të them më tepër. Humbje e madhe. Nuk gjej dot ngushëllim. Nuk gjej dot ngushëllim as për familjen e tij. Ishte humbje e madhe edhe për koleget, për partneret e tjera që kanë luajtur me të në teatër.

Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve