Barcelona fitoi 1-2 mbrëmjen e të martës kundër Atleticos në Madrid, por humbja 0-2 e një jave më parë në 'Camp Nou' bëri që katalanasit të eliminoheshin nga Champions League që në fazën çerekfinale.

Zhgënjimin pas eliminimit e tregoi edhe Hansi Flick, me trajnerin e Barçës që tha se kishin shansin për ta mbyllur ndeshjen me golin e tretë, por fati nuk deshi. Sipas tij, Barcelona e meritonte të kalonte në gjysmëfinale, por tani duhet të fokusohen te titulli kampion në Spanjë, duke qenë në krye të La Ligas.

"Ndjesitë - Jemi të zhgënjyer. Patëm mundësinë të bënim 3-0 dhe në fund pësuam atë gol. Krijuam shumë raste, por nuk i konkretizuam. Jemi të zhgënjyer.

Ndeshja -Kemi bërë një ndeshje fantastike. Luajtëm me një lojtar më pak, por paraqitja ka qenë fantastike. E vlerësoj vërtet atë që pashë në fushë. Nuk patëm shumë fat, duhet ta pranojmë.

Detajet - Vendosën detajet e vogla. Duhet t’i bëjmë gjërat më mirë, por skuadra dha gjithçka. Puna ishte fantastike, por nuk ia dolëm. Përmirësimi? Kemi folur për mënyrën si të përmirësohemi. Në pjesën e parë duhej të shënonim më shumë gola. Nuk e prisnim golin e tyre. Duke parë të dyja ndeshjet, e meritonim të ishim në gjysmëfinale.

E ardhmja? Hapi tjetër është të fitojmë La Ligan, jemi në rrugë të mbarë. Duhet të vazhdojmë kështu, ta ruajmë mentalitetin. Jemi të zhgënjyer të gjithë, ta fitojmë Championsin është një ëndërr. Duhet të mësojmë nga gjërat për t’u përmirësuar. Jemi një skuadër e re, sezonin tjetër do të përmirësohemi.

Arbitrimi? Nuk dua të flas për këtë sepse është diçka që nuk mund ta ndryshoj. Është mirë për ju që të flas, por nuk dua ta bëj. Karton i kuq? Lojtarët duhet të bëjnë një hap përpara në këtë drejtim, jemi skuadër e re. Do të përmirësohemi edhe në këto gjëra. Të gjithë mund të jenë të kënaqur me atë që kemi bërë. Çdo ditë duhet të mësojmë dhe të jemi më të mirë. Punojmë me lojtarët, jemi të zhgënjyer, por ky është futbolli.

La Liga dhe “El Clasico”? Nuk më intereson koha kur do ta fitojmë, dua vetëm ta fitoj titullin. Është e vështirë, tani duhet të përqendrohemi te La Liga. Besonim se mund ta përmbysnim Atletico Madridin, por nuk patëm fat. Duhet ta pranojmë realitetin", tha trajneri gjerman i Barcelonës, Hansi Flick.