Rasti Balogun është kthyer në ‘bumerang’ për SHBA-të në Botëror. Përfaqësuesja e drejtuar nga Pochetino u mposht 1-4 nga Belgjika në 1/8-t, duke i dhënë fund aventurës së tyre në kompeticionin e nisur me shumë shpresë, teksa deri para kësaj sfide kishte 4 fitore. Para duelit u fol më shumë për telefonatën e Trump me Infantino-n, i cili ndikoi për të zhbërë kartonin e kuq të Balogun, i cili falë presidentit të SHBA-ve ishte i gatshëm për këtë duel.
Megjithatë presioni i shkaktuar më pas, si pasojë e reagimeve të ashpra të Belgjikës, UEFA-s, Bashkimit Evropian si dhe një sërë figurash të njohura të sportit ndikuan shumë te SHBA, por mbi të gjitha te sulmuesi Balogun, i cili goditjen e parë e bëri në minutën e 81.
Mesfushori belg Nicolas Raskin deklaroi se skuadra kishte ndier një “ndjenjë padrejtësie” pas zhvillimeve të fundit, por shtoi se përgjigjja më e mirë erdhi në fushë me fitoren e thellë ndaj amerikanëve. Edhe kapiteni Youri Tielemans tha se polemikat i motivuan lojtarët belgë për të dhënë maksimumin në ndeshje. Pas golit të katërt, disa futbollistë belgë festuan duke imituar të ashtuquajturën “kërcimin e Trump”, ndërsa llogaria zyrtare e kombëtares belge në Instagram publikoi një foto të Romelu Lukakut me mbishkrimin “Përmbyseni edhe këtë”, një referencë e qartë ndaj vendimit të FIFA-s.
Edhe federata iraniane e futbollit reagoi pas eliminimit të SHBA-së, duke publikuar një mesazh në faqen zyrtare ku shkruante se “e gjithë bota po vallëzon për humbjen poshtëruese të politikës ndaj futbollit”, në një tjetër episod të tensioneve politike që kanë shoqëruar këtë Kupë Bote.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente











