Përmbysja e rezultatit në ndeshjen e kthimit kundër Dortmund e ka bërë Chelsea-n një nga dy ekipet e para që sigurojnë çerekfinalet e Champions League. Londinezët fituan 2-0 të martën në Stamford Bridge, duke kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm 2-1, pasi në Gjermani Adeyemi i kishte dhënë fitoren Dortmundit.
Fillimisht shifrat i zhbllokoi Stërling në pjesën e parë, ndërsa në të dytën i dyfishoi Kai Havertz me penallti. Sulmuesi gjerman gaboi në të parën, por arbitri vendosi ta përsëriste, duke shkaktuar edhe polemika. Kjo sepse futbollisti i Dortmund Emre Can pas eliminimit u shpreh se ‘gjyqtari ishte fajtor me arrogancën e tij’.
Gjithsesi te Chelsea dhe sidomos trajneri Potter pati çlirim pas kualifikimit, duke qenë se londinezët kanë kaluar një periudhë tepër të vështirë. Konkretisht Potter tha se ‘ishte një ndeshje dhe atmosferë e jashtëzakonshme’, ndërsa e cilësoi natën më të bukur futbollistike të jetës së tij.
Sakaq skuadra tjetër çerekfinaliste është Benfica, që kaloi me rezultatin e përgjithshëm 7-1 Club Brugge. Pas ndeshjes së parë në Belgjikë këtë herë portugezët fituan 5-1, me sulmuesin Ramos i cili realizoi ‘dopietë’ Golat e tjerë u realizuan nga Rafa Silva, Joao Mario dhe Neres.