Elisenko Suti, shqiptari që punon
në klinikën kushtuar Padre Pios

Elisenko Suti, shqiptari që punon<br />në klinikën kushtuar Padre Pios
Elisenko Suti është një 27 vjeçar shqiptar që jeton pranë  mrekullive të shërimit. Ai ka studiuar në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë për fizioterapist dhe është kualifikuar më tej në La Sapienza të Romës. Sot Elisenko punon në klinikën mjekësore San Xhiovani Rotondo në Kozenca të Kalabrisë dhe ka një histori mjaft të veçantë mes besimit të tij tek shenjti Padre Pio dhe pasionit për profesionin e tij.

Ai beson se lutjet drejtuar shenjtit Padre Pio para shumë vitesh janë dëgjuar pas shumë kohësh dhe ai tani ka fituar punën që ëndërronte në vendin e shumëdëshiruar.
Ai tregon sot me buzëqeshje se dikur të gjithë italianët shkonin nga Jugu drejt Veriut ndërsa tani Veriu po udhëton drejt Jugut të  Italisë me besim te shërimi.

“Klinika e Ëngjëjve” prej disa vitesh ofron teknologjinë më të re dhe shërbim të kualifikuar për rehabilitimin e sëmundjeve të ndryshme. Elisenko tregon se tashmë Bashkimi Europian po njeh jo vetëm klinikat publike, por edhe ato private, si ajo ku ai punon  që i janë kushtuar Padre Pios.

Më tej ai rrëfen historinë e besimit të tij tek ky shenjt, lutjet e gjata për të punuar në këtë vend, për të cilat për shumë vite nuk mori përgjigje. Ai thotë se pas kësaj kohe të gjatë “heshtjeje” e largoi edhe portretin e ikonës tek i cili besonte. Por mrekullia sipas tij ndodhi më vonë.

Kur  mbaroi studimet e Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë të Tiranës për degën e fizioterapisë  dhe pas kualifikimeve të marra në La Sapienza të Romës  ai mori një thirrje telefonike nga San Xhovani Rotondo me një ofertë pune konkrete pranë klinikës më të re, iniciativë e fretërve kapuçinë. Elisenko me banim në Kozenca të Kalabrisë tanimë qëndron pranë pacientëve plot shpresë, në një sallë palestre moderne e investuar mijëra euro me teknologji lehtësuese për vizitorët ku ofrohet falas çdo gjë.

elisenko

Elisenko kur arritët realisht të ndërtonit një jetë dinjitoze pranë Italisë?
Historia ime e ka fillimin kur daja im mbërriti Itali. Ishte viti 1999. Daja im i kërkoi babait ta merrte familjen tonë me vete dhe të vendoseshim në Itali. Kur erdhëm këtu u integruam shumë mirë. Tashmë po bëhen plot 18 vite që jetoj në Kozenca të Kalabrisë. Veç kësaj kam dy vjet që po punoj këtu të San Xhiovani Rotondo si fizioterapist.
 
Pse fizeoterapist? Çfarë të veçante ka ky profesion?
Njerëzit me të cilët ne punojmë kanë nevojë për potencialet tona të dijes dhe të aftësive. Një ndër ëndrrat e mia është të realizoj lëndë mësimore për studentët lidhur me profesionin tim. Nga ana tjetër dua të dëshmoj mrekullitë e Padre Pios me veprat e mia pra me vepra jo vetëm nëpërmjet fjalëve.
 
Cila është lidhja juaj me shenjtin Padre Pio?
Ka nisur para shtatë vjetësh. Në atë kohë unë i lutesha çdo ditë që të më krijohej mundësia që të punoja pranë Spitalit të San Xhovani Rotondos. Por kaloi kohë dhe lutja nuk mu plotësua. Atëherë e largova edhe portretin e Shenjtit nga shtëpia. Por më vonë kuptova se shenjti, mi kishte dëgjuar lutjet dhe kjo ndodhi me mbarimin e studimeve.
 
Çfarë ndodhi pasi mbaruat studimet?
Mora një telefonatë. Bëhej fjalë për një ofertë konkrete pune si mjek fizioterapist. Oferta më bëhej nga etërit e Spitalit Shtëpia e Lehtësimit të vuajtjeve. Në të vërtetë unë e kam kuptuar këtë si plotësim të lutjes time, pra  Padre Pio më donte te ky vend por jo ashtu si e kisha përfytyruar unë. Fati im ishte i shkruar e unë ndjej se e dashuroj punën që bëj këtu me njerëzit.
 
Çfarë të veçantë ka kjo klinikë për të cilën ti shprehesh se ndihesh fatlum që punon në të?

Çdo njeri këtu ka nevojë të ketë lidhje shpirtërore mes mjekëve dhe pacientëve. Dikush që shtrohet në këtë klinikë kërkon vëmendje, mirsjellje e ndihmë të përditshme. Rezultatet kanë qenë pozitive sepse klinika thelbin e saj nuk ka përfitimin financiar por lehtësimin e vuajtjeve përmes shkencës dhe fesë.
 
Elisenko si e sheh veten mbas 7 vjetësh?
Kjo nuk është thjesht një punë është një mision për ne stafin mjeksor që jetojmë pranë pacientëve. Them se një njeri ndihet mirë atje ku ka punën e vlerësohet. Jam i thirrur nga ky vend dhe i vlerësuar duke marrë kënaqësi për veprimtarinë e dobishme për të gjithë.

Kjo klinikë mban emrin “Klinika e Ëngjëjve” sepse është ndërtuar për fëmijët të cilët erdhën kur ishte gjallë Padre Pio me bashkë me prindërit e tyre dhe i kërkuan ndihmë shenjtit që  ishte i vjetër e i rënduar nga mosha. Kështu Ati i Shenjtë ia ngarkoi si detyrë ndërtimin e këtij spitali një frati, i cili u  kujdes të ndërtohej e të kthehej në një vend ku gjenin shërim shumë pacientë.

Tashmë një ndër ëndrrat e mia paralel me mësimdhënien para auditorit është që të dëshmoj me jetën time se Padre Pio vlen aq shumë! Mrekullitë te San Xhovani Rotondo e qytetit të Foggias ngjasin përditë për ata që shohin përmirësimet e shëndetit qetësisë dhe ekuilibrit ndërmjet shpirtit e trupit.

“Drejt punës” rikthim tek lexuesit
Suplementi “Drejt Punës” në “Shqiptarja.com”, rikthhet sërish tek lexuesit në këtë sezonin e ri. “Drejt punës” është i vetmi suplement i këtij lloji në median shqiptare kushtuar plotësisht punësimit të të rinjve dhe shëmbujve pozitivë e frymëzues të iniciativave dhe ideve të veçanta që gjenerojnë vende pune e fitim financiar.

Duke frymëzuar mijëra të rinj shqiptar me shembuj nga më interesantët, “Drejt punës” , pas dy viteve eksperiencë, po kthehet në pikë referimi për ide biznesi familjar, për sipërmarrje të vogla e të mëdha, për të zbutur papunësinë dhe për të zbuluar tek shumëkush aftësi që nuk ia njihnin vetes më parë.

Kështu në këmi zbuluar raste kur një e diplomuar në jurisprudencë mund të krijojë fitime të kënaqshme më një profesion krejt tjetër, që as e kishte menduar më parë, përshembull të stilojë e kurojë thonjtë.

Po ashtu një rast tjetër i një të diplomuare në Bokoni në Milano për ekonomi e cila ka hapur një dyqan të famshëm në Tiranë me prodhime vendase, apo një mësues fizike që fiton dyfishin e rrogës së tij me punën pasdite si kamarier në një restorant të famshëm, sikurse edhe dhjetra profile të artizanatit, prodhimet e të cilëve janë kaq joshëse për turistët vendas e të huaj.

Shembuj të tjerë kanë ardhur nga fusha e teknologjisë apo nga shumë profesionistëve që dalin nga kurset e arsimit profesional, ku vitet e fundit po investohet shumë.    
Duke ecur në të njëjtën rrugë, suplementi “Drejt punës” synon të zbulojë për lexuesit e tij të tjerë shembuj frymëzues dhe ide të reja për punësim dhe edukim.  


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja