Elon Musk ka bërë një hap pas nga premtimi i tij më ambicioz. Kolonizimi i planetit Mars nuk është më prioriteti. Të paktën jo tani. Fokus i ri i SpaceX do tw jetw ndërtimi i një qyteti vetë-funksional në Hënë.

Në një postim në rrjetin social X, Musk tha se një bazë hënore mund të ndërtohet brenda më pak se 10 vitesh, ndërsa Marsi kërkon mbi dy dekada. Arsyeja, sipas tij, është e thjeshtë: Hëna është më afër, më e arritshme dhe lejon nisje të shpeshta.

“Drejt Marsit mund të udhëtohet vetëm çdo 26 muaj dhe udhëtimi zgjat gjashtë muaj. Në Hënë mund të nisesh çdo dhjetë ditë dhe mbërrin për dy ditë,” ka shpjeguar Musk, duke shtuar se kjo i jep SpaceX ritëm më të shpejtë testimesh dhe zhvillimi.

Musk këmbëngul se nuk i ka braktisur planet për kolonizimin e Marsit, por vetëm i ka shtyrë ato  Sipas tij, punimet reale për një qytet marsian mund të nisin pas pesë deri në shtatë vitesh, duke e çuar ndërtimin e çdo vendbanimi tw qëndrueshëm njerëzor përtej viteve ’30.

Por ky ndryshim kursi bie ndesh me deklaratat e mëparshme. Në vitin 2011 ai fliste për dërgimin e njeriut në Mars brenda 10 vitesh. Në 2016, afati u zhvendos në 2024–2025. Tani jemi në 2026 dhe asnjë njeri nuk është afër Planetit të Kuq.

Edhe raketa Starship, mjeti kyç për misionet hënore dhe marziane, mbetet në fazë testimi. Furnizimi në orbitë, një hallkë thelbësore për këto fluturime, ende nuk është provuar.

Vendimi ka ngritur pikëpyetje mes studiuesve dhe vëzhguesve të sektorit hapësinor. Shtyrja e Marsit me të paktën një dekadë ka hapur debatin nëse bëhet fjalë për strategji afatgjatë apo për një tërheqje të heshtur.

Ndërkohë, gara për Hënën po ndizet. Blue Origin e Jeff Bezos ka paralajmëruar fokus të ri te misionet hënore, ndërsa NASA po shtyn fort rikthimin e njeriut në Hënë. Dhe aty, Musk nuk do të mbetet pas./CorrieredellaSera