Elsa Ballauri: Ligj i ri
për hapjen e dosjeve

Elsa Ballauri: Ligj i ri <br />për hapjen e dosjeve
TIRANE- Përvoja gjermane e hapjes së dosjes së ish-Shërbimit Sekret të Gjermanisë Lindore (STASI) do të jetë një ndihmë e çmuar në tentativën e radhës që shoqëria civile në Shqipëri do të bëjë për të hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Elsa ballauri, Kryetare e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, thotë se pas shumë vitesh, vendi ka nevojë për një ligj të ri lustracioni, i cili të mos jetë përgatitur nga politikanët dhe ata "të fusin hundët" sa më pak të jetë e mundur. Në një bisedë për gazetën "Shqiptarja.com", zonja Ballauri shprehet se falë ndihmës së ekspertëve gjermanë, ligji i i ri për lustracionin do të jetë së shpejti në një draft të plotë, që do të diskutohet me shoqërinë civile dhe më pas do të kalohet për diskutime në Kuvendin e Shqipërisë. "Ndryshe nga kaluar në këtë grup pune janë përfshirë njerëz që nuk kanë lidhje aq të mëdha me politikën"-thotë Ballauri. Ajo vlerëson bashkëpunimin me ish-kryeministrin Aleksandër Meksi për të cilin ajo thotë se ka patur kontakte dhe dijeni për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nga vetë puna si drejtues i qeverisë që ka qenë në vitet 1992-1997. Nga ana tjetër ajo vlerëson edhe kontributin e ish-zv.presidentit të Asamblesë parlamentare të KE, Aleksandër Biberaj. Plani ishte që drafti të merrte formë të plotë për tiu paraqitur deputetëve në sesionin e parlamentar të vitit 2012, por është shtyrë për disa muaj. "Ky do të jetë një ligj i mirë dhe i zbatueshëm sepse për këtë po punon një grup specialistësh të fushës së ligjit dhe që njohin historinë e dosjeve të sigurimit të shtetit në Shqipëri. Realizimi i ligjit për lustracionin është një nismë e vjetër e jona dhe ne fatkeqësisht kemi bërë shumë pak si shoqëri për viktimat e rregjimit komunist. E kaluara është një problem ende i pazgjidhur në Shqipëri, një nga ato probleme që kanë krijuar një ngërç të vërtetë në të gjithë jetën politike dhe psikologjike të shoqërisë sonë"-thotë Ballauri.
Rezultati i kësaj nisme të re për hapjen e dosjeve, sipas drejtores së GDSHNJ-së, do të jetë largimi përfundimtar i figurave të përlyera nga vendimmarrja në jetën publike të vendit.
Në shtator 2008 Elsa Ballauri si dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile hasën në refuzimin e politikës për të marrë me seriozitet hapjen e dosjeve nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili qëllimisht mbante peng projektligjin për lustracionin, duke e justifikuar këtë me kompromisin që duhet të gjente politika për ndërprerjen e mandatit për ata zyrtarë që do të rezultonin me dosje dhe nëse duhet të verifikoheshin ose jo edhe një herë ata zyrtarë që i janë nënshtruar këtij procesi gjatë ligjeve të mëparshme.
Sot pas gati katër vitesh Elsa Ballauri thotë se ende nuk ka besim te politika, te dëshira e saj për të mbyllur hasapet me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. "Politika vazhdon të luajë që të mos ketë një ligj të lustracionit, sepse ajo nuk është e interesuar të bëjë pastrimin, duke i lënë gjërat siç kanë qenë këto 22 vite".
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Athinë, Foto e Roan Brahimit i vrarë në makinë

Atentati në Athinë, Foto e Roan Brahimit i vrarë në makinë